TIRANE – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla lançoi ditën e sotme nismën “Të festojmë së bashku”, në të cilën përuroi terrenin e ri sportiv për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë.

Në kuadër të kësaj nisme, nxënësit e gjimnazit të Tiranës, “Qemal Stafa” u dhuruan fëmijëve të shtëpisë “Zyber Hallulli”, dhurata të ndryshme.

“Ky është rasti i Tiranës, por kudo në Shqipëri, shkollat po zhvillojnë aktivitete duke shkëmbyer dhurata, për t’ju gjendur pranë njëri-tjetrit dhe fëmijëve që kanë më shumë nevojë në këto ditë festash”, tha Ministrja Nikolla.

Gjithashtu, falë bashkëpunimit të MAS, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Kastrati”, për këta fëmijë është ndërtuar edhe një terren sportiv, ku ata mund të luajnë apo të merren me aktivitete fizike.
Ministrja Lindita Nikolla, së bashku me fëmijët e kësaj shtëpie, përuroi palestrën e ndërtuar sipas të gjitha standardeve.

Ministrja vlerësoi partneritetin publik-privat në shërbim të fëmijëve e nxënësve dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ajo drejton për bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

“Krijimi i këtij terreni sportiv është një mundësi më shumë për këta fëmijë për t’u argëtuar e për t’u marrë më aktivitete sportive. Por, detyra jonë është që të kujdesemi çdo ditë për jetën e tyre dhe jo vetëm në ditë festash”, tha Lindita Nikolla.

Në prag të atmosferës festive të fundvitit, Qeveritë e Nxënësve në institucionet arsimore parauniversitare në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë bërë nismëtare të sensibilizimit të nxënësve nëpërmjet përgatitjes së dhuratave për realizimin e nismës “Të festojmë së bashku”.

Tashmë janë krijuar lidhje midis shkollave brenda një Drejtorie Arsimore ose Zyre Arsimore për të festuar së bashku përmes programeve artistike, shkëmbimit të dhuratave e kartolinave për të krijuar mundësinë e njohjes dhe shoqërizimit të nxënësve me njëri-tjetrin, duke i ndihmuar e qëndruar pranë edhe fëmijëve që janë në nevojë.

Partnerë kryesorë të realizimit të kësaj nisme të iniciuar nga vetë fëmijët janë bërë edhe mësuesit, Bordi i Prindërve, komuniteti dhe pushteti vendor.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: