Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla është takuar ditën e sotme me Ambasadorin e Japonisë, Mitsuyuki Takada.

Ambasadori Takada i shprehu kryetares Nikolla urimet për zgjedhjen në detyrën e kryetares së Kuvendit dhe shprehu gadishmërinë e Japonisë për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat si edhe zgjerimin e bashkëpunimit midis parlamenteve të dy vendeve.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë, të cilat vitin që vjen mbushin një shekull, si edhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e Japonisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe së fundi edhe për mbështetjen e procesit të vaksinimit.

Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis parlamenteve të të dy vendeve dhe rikonfirmoi vullnetin për thellimin e këtij bashkëpunimi.

“Bashkëpunimi shumë i mirë politik e parlamentar midis të dy vendeve tona, duhet të pasohet edhe nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar. Janë të gjitha mundësitë që investimet japoneze në Shqipëri të rriten dhe Kuvendi do të kontrobojë për një klimë më të mirë për investimet japoneze në Shqipëri”- tha Lindita Nikolla.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb