Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë se Libanit, Abbas Ibrahim: Shqipëria është për dialog e bashkëjetesë, jo konflikt e urrejtje midis besimeve e qytetërimeve

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot pasdite Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë se Libanit, Gjeneral Major Abbas Ibrahim. Në takim ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb.

Kryetarja Nikolla e falenderoi Gjeneralin Abbas Ibrahim për kontributin e tij shumë të madh për riatdhesimin e fëmijëve dhe të grave shqiptare prej kampeve në Siri si edhe në mbështetjen për personelin shqiptar përgjatë operacioneve të riatdhesimit në terren.

Nikolla vuri në dukje se “Shqipëria i është bashkuar me vendosmëri aleatit tonë strategjik, ShBA, në luftën e papajtueshme kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm maskohen pas motive fetare, por nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin dhe Islamin.”

Gjeneral Major Abbas Ibrahim, pasi uroi Nikollën për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit, shprehu vlerësimet më të larta për “kontributin e Qeverisë së Shqipërisë për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë si edhe për modelin e shkëlqyer të bashkëjetesës e harmonisë midis besimeve fetare që ofron Shqipëria.”

Shqipëria është për dialog e jo konflikt midis qytetërimeve si edhe për bashkëjetesë e harmoni dhe jo urrejtje midis besimeve e komuniteteve fetare dhe për këtë qëllim ofron jo vetëm modelin, por edhe kontributin e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb