Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Partisë Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari, Memli Krasniqi. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nënkryetarët, Vlora Çitaku dhe Uran Ismaili, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemali.

Kryetarja Nikolla u uroi drejtueseve të PDK-së suksese në përballimin e sfidave të partisë, Kuvendit dhe Kosovës.

“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer vëllazëror, po punojmë ngushtësisht mes Kuvendeve, qeverive dhe institucioneve për të çuar atë përpara dhe për të lehtësuar përballimin e sfidave me të cilat përballet Republika e Kosovës. Sfidat tuaja janë edhe tonat. Partneriteti Strategjik e gjithpërfshirës midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik, stabilizues e orientues edhe për perspektivën evroatlantike të rajonit.”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kryetarja Nikolla vlerësoi rëndësinë e konsensusit të brendshëm midis forcave politike dhe liderëve të tyre përsa i takon qëndrimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe bëri thirrje për maturi, qetësi e unitet, për të patur një qëndrim të unifikuar rreth dialogut, të koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Aktualisht bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës ka hyrë në një fazë të re. Pas vizitës në Kosovë të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, u institucionalizua tryeza e kryetarëve të komisioneve parlamentare dhe ka filluar bashkëpunimi intensiv midis tyre. Bashkëpunimi po shtrihet edhe në fushën e diplomacisë parlamentare, për të harmonizuar qëndrimet e delegacioneve parlamentare në organizatat ndërkombëtare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, falenderoi Kryetaren Nikolla për rëndësinë dhe vlerësimin e veçantë që i jep bashkëpunimit midis dy Kuvendeve dhe nxitjes prej tyre të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha aspektet. Bashkëpunimi midis partive, qeverive dhe Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka ngjyra partiake. Z. Krasniqi nënvizoi gjithashtu rëndësinë që ka bashkërendimi i punës midis dy Kuvendeve dhe delegacioneve të përhershme parlamentare për fuqizimin e rolit dhe pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: