TIRANE- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot draftin për arsimin e lartë në komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik.

Gjatë fjalës së saj në komision ministrja tha se, nuk bën kompromis me cilësinë. Sipas saj, ka marrë fund koha kur universitetet bëjnë sikur japin mësim. Skema e financimit të universiteteve siç shtoi ajo, ndryshon në bazë të performancës.

Ligji që ka ngjallur mjaft debate në mesin e akademikëve, por edhe vetë studentëve pritet ti nështrohet ndryshimeve të reja. Kundërshtarët e ligjit, thonë se drafti i qeverisë favorizon universitetit private dhe parashikon rritje të tarifave për studentët e universiteteve publike.

Sipas pedagogëve, universitetet kthehen në fondacione dhe paratë që i takojnë institucioneve publike i shpërndahen privatit, ndërsa diplomat njehësohen.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka theksuar se ky ligj vlerëson mundimin e studentëve dhe prindërve.

“Ligji për Arsimin e Lartë, sjell një mori ndryshimesh, ku në thelb është cilësia e Arsimit të Lartë, pasi ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë. Ky ligj është për studentët shqiptarë. Ky ligj rrit besimin e prindërve se koha dhe financat e tyre shpërblehen. Sot, ministria, universitetet, profesorati, si dhe agjencitë e tjera të arsimit, janë mjete në funksion të këtij qëllimi, pra arsimit cilësor”, ka deklaruar Nikolla në prezantim të draftit.

Ministrja nënvizon se ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. “Kjo, pasi taksat e shqiptarëve duhet të prodhojnë maksimumin e vlerës. Dhe skema moderne që ofron ligji i ri, duhet të stimuloj një Arsim të Lartë më cilësor, duke rritur kërkimet shkencore, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për rrjedhojë, një arsim të denjë dhe mjaft cilësor për të rinjtë e të rejat. Kjo skemë krijon mundësi për bursa për studentët me rezultatet ekselence, apo studentët që zgjedhin degë me prioritet kombëtare”, tha ministrja e Arsimit.

Nikolla tha se ligji i ri vjen edhe në ndihmë të optimizimit të financave publike. Sipas saj, në këtë mënyrë do të optimizohet financimi publik për ata që kanë më shumë nevojë, duke gjeneruar ekselencën dhe të mirën publike. “Universitetet do të kenë autonomin më të lartë, duke ndërtuar ato vetë stafin akademik, duke i dhënë vetë atyre mundësinë të zgjedhin studentët, numrin e studentëve…etj”.

“Ky ligj mbështet senatin dhe rrit standardizimin e aktorëve të arsimit të lartë. Ligji i ri do të rrisë cilësinë e pedagogëve, do të rris standardet e mësimdhënies, duke ofruar konkurrencë të denjë për Arsimin e Lartë”, tha ajo.

Nikolla tha se ky ligj nuk dërgon para publike në institucionet private, por e kundërta shtyn privatin të financojë në sektorin publik.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: