Kryetarja e Kuvendit,  Lindita Nikolla, dhe Zëvëndëskryetari, Agron Gjekmarkaj, u pritën në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në takim ishte e pranishme edhe znj. Majlinda Dodaj, Kreu i Misionit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vuri në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe theksoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre. Duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, Ati i Shenjtë theksoi se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, pasi e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën, e njohu me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane të popullin shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve për përkushtimin e Atit të Shenjtë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.

“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri”, u shpreh znj. Nikolla.

Kryetarja Nikolla vlerësoi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri.

Njëkohësisht ajo shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e madh të besimtarëve dhe Kishës Katolike për ndihmën ndaj qytetarëve për përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë si edhe për kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të dashurisë, solidaritetit e humanizmit.

Besmitarët katolikë dhe institucionet e Shqipërisë mirëpritën emërimin e Monsignor Arjan Dodaj si Kryeipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

Në përfundim të takimit, Papa Françesku i përcolli Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik.
Pas audiencës me Papën, Kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, dhe Zëvëndës kryetari, z. Agron Gjekmarkaj, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë takimit u vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe u shpreh dëshira për forcimin e bashkëpunimit.
Kryetarja Nikolla e falenderoi Sekretarin e Shtetit Parolin për kontributin që jep Kisha Katolike, përmes institucioneve të saj kishtare, arsimore e shëndetësore në Shqipëri.
Sekretari i Shtetit Parolin vlerësoi bashkëpunimin e Znj. Nikolla dhe z. Gjekmarkaj dhe vuri në dukje se, pavarësisht bindjeve e qëndrimeve politike, bashkëpunimi parlamentar e politik duhet të mbështetet në vlerat e përbashkëta të humanizmit e solidaritetit.
Kryetarja Nikolla dhe Sekretari i Shtetit Parolin diskutuan edhe për zhvillimet në Shqipëri, situatën pas pandemisë, avancimin e procesit të integrimit evropian, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ndikimin në Shqipëri e rajon të luftës në Ukrainë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Deputeti i PD-së, njëherazi dhe nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj shkruan se ka gjetur dashuri e vëmendje të madhe për Shqipërinë si askund tjetër.

Ai ka shprehur emocionet e ndjera gjatë vizitës në Vatikan dhe përjetimet për atë që ka bërë ky vend për Shqipërinë.

POSTIMI I PLOTË

Me Kryetaren e Kuvendit Zonjën, Lindita Nikolla patëm nderin e madh të priteshim nga Shënjteria e Tij Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit Eminenca e tij Pietro Parolin.

Aty gjetem dashuri e vemendje të madhe per Shqiperinë si askund tjeter.

Ndër shekuj edhe kur reja e zezë mbulonte vendin tonë, brenda atyre mureve u konservua një pjesë themelore e identitetit tonë kombëtar! Gjergj Kastriot-Skenderbeu pas udhëtimeve të gjata përzhitur me pluhur betejash mbërrinte aty në ato 25-vite lavdie dhe aleancat e mëdha me Papët i bënte, e bashkë me bekimet e tyre apostolike merrte mbështetje për arbërore që luftonin për vete dhe Europen!

Në ato ujdhesa e imagjinoj me kalorësit e tij besnik tek kumte të rënda shpie. Aty në Bibliotekën apostolike u ruajt amza jonë kombetare, “Meshari” i Gjon Buzukut kjo spirancë në Identitetin europian të shqiptarëve. Në ato kisha të qytetit etern, mësohej gjuha shqipe për meshtarët që niseshin për ilirik. Në tipografitë e urdhrave të ndryshëm shtypeshin librat bazik të kombit tonë ato Budit , Bogdanit , Bardhit, Kazazit e të t’jerë.

Në ato shkallare ngjitej Fishta me Pal Dodajn per t’ju lutur Papa Benediktit të XV , që Korça e Gjirokastra t’i mbesnin Shqiperisë.

Tek kalon ato portikë mbushur me historinë e qytetërimit perëndimor përpiqesh të gjesh copat e tua dhe kur i ndesh emocionohesh e mbushesh me mirënjohje e cila nuk di ku të ndalet më parë, tek Papa Montini, tek Papa Gjon Pali që puthi dheun tonë, apo tek Papa Françesku që i foli gjithë botës për leksionin etik dhe frymëzues të bashkjetesës shqipëtare?!

“E dua Shqipërinë, lutem për të tha Ati i shenjtë! Një politikë për njerëzit, duhet gjithmonë të punoni për ta, një popull që punon fiton! Ati i shenjtë e kujton dhe promovon “vëllazërinë mes komuniteteve fetare në Shqipëri”!

Emocionues në gjithçka takimi me Papa Françeskun, për mesazhet që na dha, mënyrën si na priti dhe kohen që na kushtoi! Gjithashtu miqësore, e përkushtuar dhe e përzemërt biseda me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Parolin. Mbështetje për Shqipërinë, vëmendje e interes për të kuptuar të gjitha dinamikat e saj demokratike, shoqërore, integruese, gjeopolitike si dhe raportet me kultet! Sekretari Parolin rikonfirmoi miqësinë dhe mbështetjen e Vatikanit për popullin Shqiptar, si vazhdim i një tradite historike e cila përsos vetveten. Takime të paharrueshme në një ditë që të shënjon kujtesën për gjithmonë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb