NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Mësuesit e arsimit parashkollor dhe ciklit të ulët jo vetëm që nuk përfitojnë rritjen e pagës, por atyre u zbritet vlera e pagës aktuale. Kjo për shkak të kategorizmit të pagave që ka bërë Ministria e Financave, ku mësuesit me 3-vjecare në ish-institutet pedagogjike dhe ata me diplomë “Bachelor”, zbresin në kategori.

E pyetur nga “News24”, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla pranon këtë fakt duke deklaruar se kjo situatë do të rregullohet brenda kësaj jave.

Rritja e munguar të pagës për muajin mars, këta mësues do e marrin në muajin pasardhës.

“Po reflektohet ky moment i kategorizimeve, pasi janë një bashkësi mësuesish që kanë mbaruar studimet 3-vjeçare në ish-institutet pedagogjike dhe ata me diplomë “Bachelor”. Kjo është një vendimmarrje që do reflektohet në mbledhjen e kësaj jave të qeverisë, dhe nuk ka asnjë ulje pagash për ta”, tha Nikolla.
Një tjetër çështje shqetësuese mbetet përdorimi i shkollës nga politika për fushatë, gjë e cila nuk duhet të ndodhë. Ndaj Ministria e Arsimit ka hartuar një urdhër të veçantë për drejtoritë arsimore që të denoncojnë çdo preson apo shkelje.

“Kemi hartuar një urdhër të veçantë, që e keni parë edhe në 2015, ku tregohet shprehja e vullnetit për të larguar politikën nga shkolla. Kërkojnë që të denoncojnë çdo subjekt apo individ që bën presion për të përfshirë nxënësit dhe mësuesit në mitingje. Po kështu edhe ambientet shkollore është e ndaluar të përdoren për mitingje dhe politike”, tha ministrja Nikolla.

Ish-kryeministri Berisha ditët e fundit ka folur për rritje tarifash për arsimin e lartë, gjë e cila është kundërshtuar kategorikisht nga Nikolla, e cila pohoi se prej 2014 nuk ka asnjë ndryshim tarifash.

“Nuk ka rritje tarifash që nga 2014, madje edhe këtë vit nuk do të ketë rritje tarifash në 2017-2018. Ne do vijojmë me publikimin e së vërtetës të shohim kush gënjen”, theksoi ministrja.

Universitetet ende nuk kanë dalë me një vendim për tarifat, por me ç’duket edhe ky vit akademik do t’i mbajë në të njëjtat nivele.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: