Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Përfaqësuesen e OSBE- së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin midis Kuvendit dhe OSBE-së për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe sigurinë e gazetarëve.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vuri në dukje se “Shqipëria e konsideron lirinë e shtypit një shtyllë të demokracisë. Kuvendi është i vendosur për garantimin e lirisë së shtypit, në mënyrë të plotë e pa pengesa. Ne mbetemi gjithashtu të përkushtuar për të bashkëpunuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve, si edhe qasjen në informacion të besueshëm, përmes shtypit të lirë, të pavarur, pluralist dhe të larmishëm, duke zbatuar standardet ndërkombëtare.”

Teresa Ribeiro e uroi Lindita Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe vuri në dukje vullnetin e OSBE-së për të bashkëpunuar për përmirësimin e legjislacionit shqiptar për median, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, standardeve të BE-së dhe OSBE-së, si edhe duke harmonizuar nevojën publike, legalitetin e proporcionalitetin, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb