TIRANË- Pak ditë para nisjes së vitit shkollor 2015-2016, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi sot se fëmijët e familjeve në nevojë, fëmijët që konsiderohen viktima të trafikimit, fëmijët që vijnë nga familje me pjesëtarë me aftësi të kufizuara si dhe fëmijët e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës, do të përfitojnë tekste shkollore falas për arsimin bazë.

“Të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë kanë mundësi të marrin libra falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë. Të gjithë ata fëmijë që konsiderohen viktima të trafikimit përfitojnë tekste shkollore falas, sikundër përfitojnë tekste shkollore falas edhe ata fëmijë që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti”, tha Nikolla.

Sakaq, ajo shtoi se ”jemi treguar solidarë edhe me të gjithë fëmijët e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës, në mënyrë që krahas bursës së studimit ata të përfitojnë falas edhe tekstet shkollore në të gjithë periudhën e shkollimit të tyre, në arsimin bazë”.

Më tej, ministrja nënvizoi se qeveria shqiptare qëndron në krah të familjeve shqiptare për të nxitur një arsimim cilësor, të brezave të rinj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: