Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u takua sot me kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Constantine An. Tassoulas.

Tassoulas, shprehu kënaqësinë që pret në Parlamentin e Greqisë Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe e uroi Nikollën  për zgjedhjen si kryeparlamentare. Tassoulas shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar e zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe gadishmërinë e Parlamentit të Greqisë për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin  e gjithanshëm midis të dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit falenderoi homologun e saj për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe të dy parlamenteve.

“Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme,  partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane. Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi  të bindur se këtë mbështetje  e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021. Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për  ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve.”, theksoi znj. Nikolla.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, e falenderoi Tassoulas edhe për ndihmën e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për dhurimin e mbi 120 mijë dozave të vaksinave, duke ndihmuar për përballimin dhe daljen nga pandemia e Covid-19.

 

 

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb