Biznesmeni Nikollaq Neranxi është paraqitur në Komisariatin numër 6 të Policisë këtë të shtunë, pak pas orës 6 të pasdites, për të sqaruar konfliktin dhe fyerjen që një efektiv i Rrugores pretendon se i është bërë nga biznesmeni, teksa ai e ka gjobitur për parkim të gabuar.

Gjithçka ka ndodhur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-­Durrës, ku Neranxi ndodhej i pranishëm në një panair të biznesit të tij, me miq e të ftuar.

Sipas burimeve në vendngjarje, forca policie i kërkuan Neranxit që të shkonte në ambientet e komisariatit numër 6, për t’u ballafaquar me efektivin e policisë i cili pretendon se është fyer nga biznesmeni, shkruan “panorama”.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, efektivët kanë dashur ta shoqërojnë Neranxin, por janë penguar nga rojet e tij, të cilët janë shoqëruar në komisariat.

Ndërsa Neranxi ka vijuar me aktivitetin e biznesit të tij dhe është paraqitur më pas në Komisariatin numër 6 për të dhënë shpjegime lidhur me akuzat.

I kontaktuar nga “Panorama”, Nikollaq Neranxi tha se:
“Nuk jam larguar për asnjë sekondë nga ambientet e Kompanisë Neranxi ku kisha disa qindra njerëz aty sepse po bëj panairin e përvitshem të kulinarisë”.
Neranxi njihet si një zë kritik ndaj qeverisë dhe reformave që ajo ka ndërmarrë kohët e fundit mbi biznesin.

Në cilësinë e kryetarit të Mbrojtjes së Tregut dhe Tregtarëve të Shqipërisë, Neranxi është mbrojtës i interesave të biznesit. Pak kohë më parë ai ka çuar në gjyq disa ligje të qeverisë si dhe paketën e taksave mbi biznesin.

Ditën e djeshme, ai publikoi në profilin e tij në Facebook videon e grabitjes së biznesit të tij kohë më parë dhe nënvizoi se autoritetet nuk e kanë zbardhur ende si ngjarje dhe nuk ka një autor para drejtësisë.

Në këtë video që shihni më poshtë, biznesmeni ka rrëfyer për mediat gjatë aktivitetit se si qëndron e vërteta e përplasjes me Policinë.

“Në orën dy vijnë një grupi policësh dhe thonë do t’u shoqërojmë, mirë po të paktën nga ora 6 të mbarojmë aktivitetin”, u ka thënë Neranxi policëve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: