TIRANE-Në media ka shumë spekulime kohët e fundit, se Rama e Basha janë duke bashkëpunuar në aferën CEZ, kundër Ilir Metës dhe Sali Berishës. Por, Nikollë Lesi ka shkuar më larg.
Ai shkruan sot te “Koha Jonë”, se Rama dhe Basha janë takuar në Vjenë.

Lajmi sot tek Koha Jone
Miliarderi Samir Mane, kumbari i takimit Rama-Basha
Edi Rama dhe Lulzim Basha janë takuar në Vjenë (Austri). Konfirmimi vjen nga një burim brenda selisë blu, i cili nën zë tha: “PO, janë takuar në Vjenë”. Ndërmjetësit kanë qenë një multimiliarder shqiptar që ka aktivitet edhe në Austri, bashkë me një lob mediatik në Tiranë, mik i Berishës dhe së fundi edhe i Ramës. Fillimisht, hezitues për tu takuar me kreun e qeverisë së majtë ka qenë lideri i PD-së Lulzim Basha, por duket se Berisha e ka dhënë lejen për takimin, me kushtin që të djegin Ilir Metën, por jo vetë ish-kryeministrin e Partisë Demokratike.

Kështu, udhëtimi është përgatitur e sajuar për bukuri, pas një jave pushimi të Edi Ramës në ishullin e Sardenjës, bashkë me miliarderin e njohur Sami Mane. Kryeministri shqiptar, Rama ka qenë me siklet të madh sepse i duhej të digjte Ilir Metën dhe ka menduar reagimin e kryeparlamentarit. Ka menduar se mund të rrëzohet si mazhorancë, e ndaj ka kërkuar një garanci ndërkombëtare që PD-ja do ta gjejë pretekstin e mbështetjes së qeverisë së tij në Parlament, me argumentin se bëhet në emër të dekriminalizimit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë. Pra, PD të mos e rrëzojë si kryeministër. Më saktë një qeveri PS-PD.

Informacionet tregojnë se ka rënë dakord që kjo të mos bëhet kaq hapur, sepse rrezikon prestigjin e kryeministrit tek e majta dhe në popull. Ndaj, Partia Demokratike do ta sulmojë përsëri Edi Ramën në media, sa për sy e faqe, por sulmi direkt të jetë mbi kreun e parlamentit Ilir Meta. Mjafton vetëm që Ramës të mos i kërkojnë dorëheqje nga posti.

Basha dhe Rama janë takuar në Vjenë (Austri), në prezencën e miliarderit si negociator. Nuk dihet tamam se çfarë është folur, por rezultatet e këtyre javëve të fundit po tregojnë se kanë bërë pazar të madh. Ndaj, duket se Ilir Meta po reagon fort, se ka mësuar pazarin e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Vjenë.

Edhe letra e Kryetarit te Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho drejtuar krerëve të Shtetit dhe disa institucioneve kushtetuese, por edhe dalja e djeshme e nënkryetarit të LSI Ylli Manjani, që tha se “Kur qeverisin bashkë PS me PD Shqipëria digjet e ka të vrarë !”, tregon kanë informacionin e duhur për takimin e fshehtë Rama-Basha në Vjenë dhe marrëveshjen e tyre për të djegur kreun e LSI. Të dy, Rama e Basha, janë kënaqur nga synimi për prerjen e kokës së Metës që ta largojnë nga skena politike me 270 mijë votat e tij.

Një tjetër garanci që ka kërkuar Basha me gojën e Berishës ka qenë që Rama të mos i prekë ish-liderit të PD-së asnjë koncension ekonomik të kohës së tij, ku ka interesa si dhe të mos synohet nga ministri Saimir Tahiri për të arrestuar djalin e tij, Shkëlzen Berisha. Kjo, pasi qeveria ka dy vite që po heton mbi veprimtarinë e tij.

Ndërkohë mësohet se janë po të njëjtët aktor vendas biznesi e media që kanë bërë takimin e pazarin Nano- Berisha, të cilët bënë edhe takimin Rama- Basha në Vjenë.

Ndërkohë pas garancisë së Ramës në Vjenë ish-kryeministri Berisha ka shtuar dozën e sulmeve ndaj Ilir Metës sepse nuk preket nga Qeveria për asgjë që ka bërë gjatë viteve 2005-2013.

“Kumbaro” Zamir Mane rri e kundron Tiranën nga një kat sipër Berishës, në Kullën e madhe, tek stadiumi kombëtar dhe shikon se si “digjet” toka poshtë tij, ndërkohë që kanë edhe helikopter në tarracën e Kullës nëse Tirana bëhet rrumpallë nga përplasjet politike.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: