Teksa një media angleze publikoi një lajm në lidhje me një të ri shqiptar që ishte dënuar me 10 milionë dollarë për pastrim parash, dhe që thuhej se ishte nipi i ish-deputetit Alqi Bllako, vjen reagimi nga avokati i këtij të fundit.

Përmes një deklarate avokati Sokol Harizaj, në emër të klientit të tij ka përgënjeshtruar lajmin dhe faktin se Bllako ka lidhje me Bio Bashën. Sipas avokatit të Bllakos, ky i fundit nuk ka lidhje me të riun shqiptar që është hetuar edhe nga FBI-ja.

REAGIMI I AVOKATIT TË BLLAKOS
Përgënjeshtrim
Lajmet e sotme që lidhin klientin tim Alqi Bllako me një shtetas të quajtur Gio Basha janë të pavërteta. Zoti Alqi Bllako nuk ka asnjë lidhje gjaku apo njohje me këtë person. Në vitin 2011 Alqi Bllako ishte student në master, duke u diplomuar me një tjetër medalje të artë për rezultate të shkëlqyera.

E vërteta nuk mund të mbulohet me sajesa të tilla sa të shëmtuara, aq edhe qesharake. Shpreh keqardhje të thellë që mediat, të cilat kanë publikuar lajmin e sajuar nga asgjëja, bëhen pjesë e skemës kundër klientit tim, duke mos respektuar asnjë standard minimal për verifikimin e vërtetësisë së lajmit.
Si përfaqësues ligjor i zotit Bllako, ju informoj se nga hulumtimet tona media burim është një media e huaj, dhe po konsiderojmë të lidhemi me studiot e huaja avokatore, për të ndjekur hapat e duhur, jo vetëm për përgënjeshtrimin e lajmit, por edhe procedurat e mëtejshme ligjore.
Me respekt,
Sokol Hazizaj
Avokat

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb