Nga: ORNELA MANJANI*

TIRANE – Nis sot aksioni anti-informalitet. Aksioni do të nisë me bizneset e mëdha, ndërkohë që kontrollet do të shtrihen në çdo subjekt ekonomik. Nga bilancet kontabël deri te vendosja e kasës dhe lëshimi i kuponit tatimor do të kontrollohen nga punonjësit e Tatimeve, e në rast se këta të fundit hasin kundërshtimin e biznesit, do të jetë e pranishme edhe policia. Do të verifikohen të gjitha bilancet kontabël, faturat tatimore dhe pasqyrat financiare për biznesin e madh dhe do të kontrollohet vendosja e kasës, lëshimi i kuponit dhe çregjistrimi i punonjësve për biznesin e vogël. Aksioni do të nisë në të gjithë vendin dhe do të verifikohet çdo operator ekonomik.
Gjobat
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave që përcakton procedurat se si tatimorët e terrenit duhet të kontrollojnë biznesin, përcakton format se si ky kontroll duhet realizuar për vendndodhjen, regjistrimin, numrin e punonjësve të biznesit si dhe përdorimin e kasës fiskale. Sipas këtij udhëzimi, konstatimi që në herën e parë se mungon pajisja fiskale apo mospërdorimi, ka një gjobë në masën e 50 mijë lekëve. Konstatimi i së njëjtës shkelje për herë të dytë, vendos një masë më të rëndë, atë të konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit. Ndërsa, udhëzimi saktëson se vazhdimi i kësaj shkeljeje, i përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe vijon procedimi penal. Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset, gjoba shkon nga 200 mijë lekë për subjektet e tatim-fitimit dhe 50 mijë lekë për bizneset e tjera. Sipas udhëzimit, edhe mallrat që kapen gjatë transportit të pashoqëruara me faturë tatimore do të konfiskohen menjëherë. Një tjetër sanksion ndaj bizneseve është parashikuar në rastet kur nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit, me gjobë në masën 40 mijë lekë, dhe kur nuk njofton për defekt në kasën fiskale, në masën 25 mijë lekë. Ndërkohë që, mosmarrja e kuponit tatimor, sipas nenit 124 të ligjit për procedurat tatimore, një individ blerës gjobitet në masën 1 mijë lekë. Udhëzimi thotë se blerësi ose përfituesi i shërbimit, duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes apo të kryerjes së punimit ose shërbimit. Në të kundërt, në rast kontrolli nga tatimorët, n.q.se nuk ka kupon tatimor, dënohet me gjobë 1 000 lekë.
Kontrollet
Dyqanet pa NIPT do të konfiskohen; kush nuk lëshon faturë do penalizohet në mënyrë absolute, së bashku me blerësin; malli që do kapet pa faturë, do konfiskohet në vend; nëse ka kundërshtime, do të ndërhyjnë forcat e Rendit. Personat që do angazhohen në këtë aksion do të verifikojnë nëse biznesi është i regjistruar apo jo, i ka të regjistruar apo jo punonjësit, ka apo s’ke kasë fiskale, lëshon apo jo kupon tatimor dhe i ka ose jo të afishuara çmimet.
Policia
Policia e Shtetit do të mbështesë si aksionin kundër informalitetit, ashtu dhe atë për ndërtimet informale. Do të ketë grupe shoqërimi, që do të shoqërojnë punonjësit e Tatimeve, dhe në rast se ka kundërshtime apo thyerje të ligjit, forcat e Rendit do të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: