TIRANE- Një Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Kryeministrisë të Republikës së Turqisë, për dixhitalizimin e dokumenteve të periudhës osmane, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Turqisë do të sigurojë mjetet me të cilat do të kryhet dixhitalizimi.

Në takimin mes dy Drejtorëve të Përgjithshëm, Ardit Bido dhe Ugur Unal, u tha se vendet tona kanë një histori të përbashkët që tregon bashkëjetesën tonë ndër shekuj.

Bido falenderoi për mbështetjen dhe ndihmën që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Kryeministrisë të Republikës së Turqisë në konsolidimin e kësaj pasurie të përbashkët, duke bërë të mundur dixhitalizimin e dokumenteve osmane që ndodhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, një kopje e të cilave do t’i vihet në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Turqisë.

Promovimi i këtyre dokumenteve të dixhitalizuara do t’i bëjë ato lehtësisht të aksesueshme jo vetëm për studiuesit, por dhe për publikun e gjerë, duke i kthyer institucionet tona në mjedise më tërheqëse.

Ugur Unal tha se është e rëndësishme që midis dy vendeve ka një bashkëpunim të dyanshëm, dhe më e rëndësishmja është projekti që do të fillojë tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb