ZVICER – Një numër rekord pjesëmarrësish janë mbledhur në Davos të Zvicrës në takimin e 45-të të Forumit Ekonomik Botëror. 40 krerë shtetesh, mbi 300 anëtarë qeverish, 1500 përfaqësues të ajkës së biznesit të globit, 14 nobelistë e qindra personalitete të fushave të ndryshme do të diskutojnë në takimin e këtij viti për sfidat e planetit dhe zgjidhjet e mundshme.
“Nuk jemi këtu për interesat tona, por si një komunitet me qëllimin të përmirësojë gjendjen e botës”- tha në fjalën e hapjes Klaus Shvab, themeluesi i forumit të Davosit. Kontekstet e reja globale është tema e forumit të këtij viti dhe pjesëmarrësit do të flasin për një botë që është sot më keq dhe më e pasigurt se një vit më parë. Në panelet e ndryshme të kësaj jave do të flitet për temat më të nxehta të globit, që nga energjia, stabiliteti financiar e kriza e Ukrainës, deri te përhapja e pandemive, frika se fuqisë së antibiotikëve po i vjen fundi apo e ardhmja e internetit. Forumi i Davosit vihet zakonisht përballë kritikave se është një mbledhje e elitave të pasura e të pushtetshme të globit për të vendosur axhendën botërore. Në prag të nisjes së Forumit mediat u pushtuan nga lajmi se Organizata Oxfam llogariti që shumë shpejt 1% e njerëzve më të pasur të globit do të zotërojnë më shumë se gjysmën e gjithë pasurisë në botë. Vëmendje e veçantë, si çdo vit, i është kushtuar sigurisë përgjatë ditëve të forumit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: