TIRANE

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për vendet vakante për Prokurorinë Speciale e njohur ndryshe si SPAK. Janë 15 vende bosh për të gjithë prokurorët e rretheve dhe Tiranës që të mund të bëhen pjesë e prokurorisë Speciale. SPAK së bashku me Gjykatën speciale do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve tha për BalkanWeb se mund të  kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe nuk kanë patur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e këshillit.

Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi u shpreh se do zgjidhen prokurorët me kriteret më të mira dhe dorëzimi i dokumenteve pritet të bëhet brenda 1 muaji.

“Emërimi i prokurorëve për prokurorin e posaçme është rritje në detyrë. Do të zgjidhen prokurorët me kriteret me të mira profesionale dhe morale për të qënë anëtar i SPAK. Magjistrati duhet të ketë ushtruar profesionin për 10 vite dhe të mos ketë marrë masë disiplinore. Magjistrati nuk duhet të jetë anëtar i KLP dhe duhet të ketë kaluar proçesin e rivlerësimit. Aplikimi s’do bëhet vetëm online, por dokumentet mund të nisen  edhe me postë”- u shpreh kreu i KLP.

Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: