Partizani nis sot përgatitjet për derbin e së shtunës kundër Tiranës, shumë e rëndësishme për ecurinë, por më së shumti për tifozët dhe prestigjin.
Të kuqtë po përpiqen të hedhin pas barazimin zhgënjyes kundër Laçit, ku nuk arritën të dilnin në lojën e tyre dhe shfaqën mjaft probleme. Trajneri Veselinoviç ka lajmin e mirë që të gjithë lojtarët janë në dispozicion, duke e mbajtur zero numrin e lojtarëve të dëmtuar.
Kjo është një ndihmë mjaft e madhe për trajnerin Veselinoviç, i cili ka shansin të punojë me gjithë ekipin dhe të provojë të bëjë edhe ndonjë lëvizje në formacion. Gjithsesi, të paktën në këto ndeshje të para, serbi është përqendruar te një numër prej afro 14 lojtarësh dhe pjesës tjetër i është dashur të presin.
Megjithëse ende nuk është përcaktuar asgjë, formacioni nuk pritet të ketë ndryshime të rrënjësishme, nisur edhe nga emrat që janë në stol. Më së shumti trajnerit i duhet të punojë në aspektin psikologjik dhe tekniko-taktik.