Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte sot në Baldushk, Tiranë, ku po punohet për ndërtimin e 50 shtëpive për familjet që humbën strehën në 26 nëntor 2019.

Ahmetaj theksoi se “në këtë zonë, do të ndërtohet një lagje e re fshati me banesa individuale, për t’i afruar familjet në komunitet, me një qasje më të shpejtë në infrastrukturën e kryeqytetit, me qendrën shëndetësore, me shkollën, kopshtin, çerdhen, me shërbimet administrative dhe me një sistem të ri furnizimi me ujë e me energji.

Ministri theksoi se “toka ngelet e tyre dhe banorët e zhvillojnë si të duan”.

Ai kërkoi që të punohet me 2 apo 3 turne që në krye të 4-5 javëve të futen familjet në shtëpitë e reja.

Po ashtu, Ministri informoi se “Këshilli i Ministrave dje akordoi 140 milionë dollarë për bashkinë e Tiranës për zonën e 5 Majit dhe për zonën e Kombinatit, ku do të ndërtohen pole të reja të kryeqytetit”.

“Edhe programi 4, programi i ndërtimit të pallateve ka nisur dhe janë 2 aprovime të rëndësishme nga Këshilli i Ministrave, një për Fondin Shqiptar të Zhvillimit me 16 miliard lekë për ndërtimin e pallateve jashtë zonës së bashkisë së Tiranës, ku mendoj se në fund të shtatorit ose javën e parë të tetorit do të kemi themele. Ndërkohë që dje ne kemi aprovuar edhe për bashkinë e Tiranës një shumë prej 14 miliardë lekësh për zonën e ‘5 Majit” dhe të Kombinatit. Besoj se me procedurat e përshpejtuara edhe në Tiranë do të kemi themele në fund të shtatorit, maksimumi në javën e parë të tetorit”, tha ai.

Ai tha se “së bashku me fondin prej 160 milionë dollarë që qeveria i ka kaluar Fondit Shqiptar të Zhvillimit tri javë më parë për rindërtimin e pallateve në 10 bashkitë e tjera, bëhen 300 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për zbatimin e projekteve tanimë të përfunduara të pallateve të reja dhe të infrastrukturës shoqëruese për këto qendra banimi, ku familjet e prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit, do t’i gëzohen një cilësie të re jete në banesën e në komunitetin e tyre”.

“Ky është programi i 4-t që tani futet në shpejtësi të plotë dhe maksimumi javën e fundit të shtatorit të parën e tetorit do të kemi në të gjitha zonat e dëmtuara themelet për pallate. Në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë, Kurbin, Krujë, Fushë-Krujë, Ishëm, gjithandej”, tha Ahmetaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb