LAÇ

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Laç ku ka nisur sot ndërtimi i pallateve të reja në bashkëpunim me qeverinë turke për banorët të cilët humbën banesat nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama foli për rilindje të zemrës së qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re e cila është e ndarë në dy zona; njëra zonë, më e madhja në këtë krah, e cila po ndërtohet nga themelet nga Turqia dhe zona në krahun tjetër që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë.

Sipas tij, është një lagje, simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit e cila do jetë këtu dhe kohë që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënieje krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona.

“Sot jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin e jashtëzakonshëm që Republika e Turqisë dhe presidenti Erdogan kanë shprehur qysh në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar dhe po ashtu edhe fjalën e mbajtur të presidentit dhe të miqve tanë turq për të nisur nga puna dhe për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re e cila është e ndarë në dy zona, njëra zonë, më e madhja në këtë krah, e cila po ndërtohet nga themelet falë kësaj mbështetjeje dhe zona në krahun tjetër që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë. Por është një lagje, simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit e cila do jetë këtu dhe kohë që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënieje krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona. Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para por angazhuan me njëherë forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat. Kam pasur privilegjin që t’i takoj forcat turke të kërkim-shpëtimit dhe të shikoj nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin me të cilin djemtë e ardhur nga Turqia shpëtuan jetë shqiptare duke mos lejuar që gërmadhat t’i merrnin me vete. Më pas presidenti Erdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik në një event të madh në të cilin ka apeluar për solidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e 500 apartamenteve. Menjëherë së bashku me një tjetër mik të mirë që kemi njohur dhe e kemi pasur mundësinë ta vlerësojmë në këto ditë të vështira, ministrin Mehmet Kurum ne kemi filluar punën, duke u mbështetur tek eksperienca e madhe agjencisë turke, duke vënë në komunikim arkitektët, projektuesit. Ky projekt nuk është thjesht një projekt me pallate me 525 apartamente, njësi shërbimi, parkime, qendër tregtare me radhë por është dhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe që merr në konsideratë elementë tradicionalë të përkthyer në arkitekturë bashkëkohore. Për këtë ndjeshmëri dua të falënderoj ministrin në radhë të parë sepse ka qenë kyç në nxitjen e këtij projekti”, deklaroi Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Një tjetër rëndësi në këtë projekt për banorët, sipas kreut të qeverisë është dhe sistemimi i përroit që përmbyste qytetin duke e dëmtuar sistematikisht.

“Kjo është e rëndësishme siç është e rëndësishme për këtë qytet, për këtë komunitet, që duke ndërtuar këtë lagje të re ne arritëm të sistemojmë më në fund përroin e vjetër që ishte një gangrenë në këtë qytet dhe që me rrëmbimin e tij përmbyste në mënyrë sistematike qytetin, dëmtonte tregtarët e vegjël, banorët dhe praktikisht e bënte të pajetueshëm këtë qytet të vogël.

Ka qenë këmbëngulja epike e kryetares së bashkisë, pastaj dhe kërkesa jonë dhe gatishmëria e ministrit dhe inxhinierëve me të cilët kemi bashkëpunuar që pavarësisht se projekti ishte nisur pa nevojën e sistemimit të përroit ky sistemim të bëhej së bashku. Kjo ka kërkuar një punë ekstra dhe më vjen shumë mirë që ndërtimi i kësaj lagje të re do të sjellë me vete një garanci të madhe për mospërmbytjen më asnjëherë të këtij qyteti. Diçka që ka qenë realisht dhe është jetike për këtë komunitet. Më vjen mirë të them sot se ndërkohë ne kemi vijuar punën për rrjetin e shkollave të cilat do të rilindin nga fillimi sepse shkollat e vjetra praktikisht nuk ekzistojnë më. Ka përfunduar shkolla e Gjormit, janë në proces nisje 9 objekte të tjera arsimore. Nga ana tjetër nis dhe puna për banesat individuale dhe është në proces puna për përforcimin dhe meremetimin e 100 pallateve me grantet e dhëna nga qeveria shqiptare”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb