NGA FATMIRA NIKOLLI
TIRANE- Pas apelit publik (në ‘GSH’) që bëri drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani për dezinfektimin e mjediseve të institucionit, një kompani private është paraqitur vullnetarisht dhe ka marrë përsipër të ndihmojë në ruajtjen e një prej thesareve kombëtare. Prej disa vitesh, për shkak të mungesës së buxhetit, hapësirat e GKA-së nuk ishte dezinfektuar, duke rrezikuar (nga brejtja e insekteve) jo pak fondet e galerisë si edhe veprat që ruhen aty, apo ekspozohen në kuadër të linjës.
Përmes një njoftimi për mediat, Galeria Kombëtare e Arteve ka bërë me dije se do t’i nënshtrohet dezinfektimit në datat 28 gusht- 6 shtator 2015. Sipas lajmërimit, ky proces i cili do të jetë i pari i këtij niveli, do të përfshijë të gjitha mjediset, sallat dhe hapësirat e saj dhe konsiderohet shumë i rëndësishëm për institucione të tilla me status muzeor.
Dezinfektimi do të kryhet brenda të gjitha standardeve specifike dhe profesionale dhe në këtë proces do të përfshihet mbi të gjitha fondi i GKA, ku ruhen rreth 5 mijë vepra arti dhe ku nevoja për dezinfektim kundër insekteve dhe parazitëve është më e madhe. Pasi ka lexuar intervistën e Shabanit dhënë “Gazetës Shqiptare” për problemin e dezinfektimit, kompania private “Air”, është interesuar për zgjidhjen e problemit. Nga ana e saj, Galeria Kombëtare e Arteve për këtë proces në njoftimin për mediat falënderon kompaninë “Air”, pjesë e ‘Vinipharma Medical Group’, e cila vullnetarisht u angazhua të bëjë dezinfektimin e mjediseve të GKA.
Ndërkaq, njoftohet se gjatë datave 28 gusht deri më 6 shtator, pra në ditët që do të kryhet dezinfektimi, GKA do të qëndrojë e mbyllur dhe tërësisht e izoluar për vizitorët dhe punonjësit. Në fund, GKA ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Prokurorisë së Tiranës për zgjidhjen sa më shpejt të problemit të mbi 400 objekteve/ikonave të sekuestruara dhe të magazinuara në katin e tretë të godinës. “GKA i ka kërkuar zyrtarisht këtij institucioni, duke cilësuar të domosdoshëm, vendosjen në karantinë të këtyre ikonave, në mënyrë që procesi i dezinfektimit të jetë i suksesshëm dhe të mos rrezikojë veprat e tjera të artit, që ruhen në institucionin tonë”, mbyllet njoftimi shpërndarë dje mediave.
(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)