Ditën e djeshme më 24 prill në Prishtinë, u çel Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor, i cili organizohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

Panairi do të mbahet i hapur deri më 26 prill 2023, në mjediset e ASHAK.

Çmimi “Jakov Xoxa” për veprën më të mirë studimore, akorduar këtë vit në nder të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, iu dha studiuesit Sabri Hamiti me librin “Stilografia”. “Jam i nderuar me vlerësimin që i bëni librit tim”, u shpreh Hamiti.

Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romancierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi.

Në librin tim “Stilografia”, tashmë të shënjuar me emrin Jakov Xoxa, kryevepra e Xoxës “Lumi i vdekur”, renditet midis kryeveprave të letërsisë shqipe.

Romani “Lumi i vdekur”, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë: për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip, për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.

Romani adhurohet sidomos për stilin e tij, që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit, pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit. “Lumi i vdekur” tematizon në mënyrë origjinale fenomenin e natyrës dhe kulturës, duke i sprovuar me Humanen, për të përapëlqyer natyralen si kundërpeshë të arrogancës së njeriut.

Këtë zbulim do ta ketë bërë cilido shkrimtar, që e ka takuar Jakov Xoxën në Apolloni, në fillim të viteve ’70  kur ai vetmitar, i paqtuar me natyrën, po thurte prozën e vet epike, larg kryeqytetit dhe klubit të thashethemeve, u shpreh SABRI HAMITI.

Pjesëmarrës në panair:

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë

Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë

Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, Shkup

Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Tiranës

Universiteti i Tetovës

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës

Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb