TIRANE
Tourism & Travel Show Albania 2025, panairi i vetëm i dedikuar turizmit në Shqipëri, çel siparin e panaireve të vitit 2025. Organizuar nga Iceberg Exhibitions, ky panair mblodhi 100 ekspozues nga Shqipëria dhe rajoni duke përfshirë hotele, agjenci turistike, institucione, shoqata dhe shumë kompani që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo operojnë në fushën e turizmit.
“Ky është viti i tretë kemi 100 kompani pjesëmarrëse në këtë sallë nga vende të ndryshëm të rajonit dhe kemi 40 blerës ndërkombëtar nga 18 shtet të botës dhe ka pasur interes të shtuar të gjithë blerësve që kanë aplikuar në platformën tonë dixhitale. Patjetër që objektivat kryesore të panairit është promovimi i paketës rajonale turistike por gjithashtu dhe turizmi i qëndrueshëm. Nëse do të flasim për një moto dhe synim më afatgjatë do të themi promovimi I paketës turistike dhe turizmi qëndrueshëm.”- tha Enejda Sheku,CEO iceberg Exhibitions.
Për përfaqësuesit e qeverisë turizmi është një ndër sektorët e rritje ekonomike të Shqipërisë ndaj duhet kushtuar vëmendje.
“Shifrat e sektorit të turizmit janë shumë premtuese rritja e viteve të fundit sidomos nëse marrim parasysh 5 vjecarin para pandemisë e deri më sot patjetër që flasim për shifra shumë të mirë mbi 11 mln turistë”- tha Ilva Gjuzi, zv.ministre e turizmit
“Ne do të vazhdojmë në të ardhmen të zbatojmë politikat e qeverisë për të promovuar destinacionet tona por tashmë nuk mjafton të kemi vetëm vision por duhet të jemi sa më shumë inovativ dhe kreativ në një treg konkurrues”.- tha Zana Çela, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë.
Edhe operatorët turistik vlerësojnë shifrat në rritje të turistëve të huaj në Shqipëri.
“Viti 2024 jo vetëm nga numri 2024 por dhe nga arritjet dhe numrat në turizëm ka qenë viti më i mirë deri tani”- tha Besnik Vathi, tur operator.
Një nga shtyllat kyçe të suksesit të panairit është eventi B2Balkan Marketplace. Ky event ka disa muaj që organizohet në bashkëpunim me bashkëpuntorin New Deal Europe, i cili ka rekrutuar numrin më të lartë të blerësve turistikë ndërkombëtarë të ardhur në Shqipëri.
“Shqipëria ka një ofertë turistike shumë dimensionale, mikpritja e shqiptarëve është ajo që e bën Shqipërinë e veçantë dhe kjo është ajo që unë e shikoj Shqipërinë si shtëpinë time të dytë.- tha Robert Dee, co founder New Deal Europe.
Për dy ditë, Tourism & Travel Show Albania do të jetë epiqendra e diskutimeve, takimeve dhe eksperiencave që do të formësojnë të ardhmen e turizmit në Shqipëri.