Është mbajtur sot ceremonia e inaugurimit të misionit PAMECA V; Konsolidimi i agjencive të zbatimit të ligjit, mbështetje e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. PAMECA V është një partner i fortë i Policisë së Shtetit dhe ka një kontribut të çmuar në forcimin e kapaciteteve të saj në luftën kundër krimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu në fjalën e rastit tha se Pameca V ka një mandat prej 3 vitesh (prill 2017 – gusht 2020) dhe synon përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe strukturave të tyre për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimit të organizuar, plotësimin e nevojave të komunitetit për sigurinë publike si edhe për sfidat e menaxhimit të kufirit lidhur me fluksin e migrantëve dhe azilkërkueseve.

Ky mision i shërben bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor dhe policor në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

“Ne sapo kemi hyrë në një epokë të re të luftës ndaj krimit, e sidomos ndaj formave të organizuara të tij, ndaj inkurajoj çdo nismë dhe iniciativë që i shërben qëllimit tonë të përbashkët. Jam besimplotë në arritjen e këtyre qëllimeve”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

FJALA E PLOTË
I nderuar Zoti Nicolo D’Angelo Drejtor i Përgjithshëm i Hetimit të Krimit të Organizuar
I nderuar Zoti Carlo D’Achille, (Drejtues i Projektit PAMECA V)
I nderuar Zoti Stephen Stork, (Shefi i Operacioneve Seksioni 1, Delegacioni i BE-së)
I nderuar Zoti Lamallari, (Zëvendësministër i Brendshëm)

Të nderuar pjesëmarrës,
Do ta filloj fjalën time me një falenderim të përzemërt për organizatorët dhe donatorët që mundësuan organizimin e kësaj Konference Ndërkombëtare, ku në fokus janë problemet dhe sfidat e sotme për harmonizimin e veprimtarive të përbashkëta policore nga agjencitë ligjzbatuese.

Një falënderim i veçantë shkon për projektin PAMECA V, e cila mbështet organet ligjzbatuese në Shqipëri e veçanërisht Policinë e Shtetit.

Pameca V ka një mandat prej 3 vitesh (prill 2017 – gusht 2020) dhe synon përmirësimin e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe strukturave të tyre për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimit të organizuar, plotësimin e nevojave të komunitetit për sigurinë publike si edhe për sfidat e menaxhimit të kufirit lidhur me fluksin e migrantëve dhe azilkërkueseve.

Tashmë bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe PAMECA është i njohur. PAMECA ka kontribuar jo vetëm në aspektin metodologjik, por asistenca teknike konkrete e saj është fokusuar dhe në iniciativën zbatuese të nismave të ndryshme të Policisë së Shtetit.

Kërkesat e publikut për rend e siguri dhe ambiciet tona kërkojnë të rrisim kapacitetet profesionale por edhe të zgjerojmë hapësirat e bashkëpunimit përtej kufijve.

Investimet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit e sidomos formave të organizuara të tij dhe trafikimit të drogës, për plotësimin e nevojave të komunitetit për sigurinë publike kanë qenë të shumta dhe të larmishme.

Ekspertiza e PAMECA vlen të përmendet në shumë nga këto angazhime të Policisë, më së shumti në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

E gjitha kjo, do të ishte e cunguar, nëse arritjet dhe dështimet në përditshmërinë tonë, nuk do ta ballafaqonim me gjetjet e aleatëve tanë.

Projekti PAMECA mbështet dhe asiston përpjekjet e Policisë së Shtetit për të plotësuar standardet ndërkombëtare, me qëllim që Shqiperia të bëhet pjesë e vendeve të Bashkimit Europian sa më shpejt.

Aktivitetet e këtij lloji janë instrumenti i duhur për të shkëmbyer eksperiencat dhe përfituar nga praktikat më të mira. Në këtë kuptim, ju përgëzoj edhe një herë sinqerisht.

Prej më shumë se një dekade, Policia e Shtetit me mbështetjen e partnerëve strategjikë, ka përqafuar filozofinë e policimit në komunitet të udhëhequr nga inteligjenca dhe teknologjia duke adaptuar dhe implementuar metoda, pajisje dhe teknologji bashkëkohore.

E gjitha kjo ka bërë që sot vërtet Policia të orientojë burimet e saj njerëzore, por jo vetëm, drejt veprimtarisë informative dhe hetimore në mënyrë të strukturuar, me objektiva konkretë, në vendin dhe kohën e duhur.

Personalisht, mbroj pikëpamjen se, informacionet marrin vlerën e plotë, jo vetëm duke u shkëmbyer, kjo është vetëm ana burokratike, por besoj se indikatori i vërtetë i bashkëpunimit sot duket të jetë “shpejtësia me të cilin ky informacion shkon në destinacion” dhe organizimi i operacioneve të përbashkëta.

Nga ana tjetër, sundimi i Ligjit është një sfidë që kërkon fuqizimin dhe modernizimin e Policisë së Shtetit dhe përafrimin e saj me policitë e vendeve partnere.

Ne jemi të vetëdijshëm se veprimtaria kriminale, personat që e kryejnë dhe përkrahësit e tyre, tentojnë të gjejnë jo vetëm rrugë të reja, por edhe mënyra të reja veprimi, larg tradicionales, për të mos lënë gjurmë, për t’i shpëtuar kapjes dhe ndëshkimit.

Kjo na bën ne, që gjatë gjithë kohës të jemi në kërkim të bashkëpunimeve shkencore e ligjore midis njëri-tjetrit në mënyrë që të shkëmbejmë jo vetëm eksperienca, por edhe të sinkronizojmë punën tonë ndaj krimit të organizuar.

Ne sapo kemi hyrë në një epokë të re të luftës ndaj krimit, e sidomos ndaj formave të organizuara të tij, ndaj inkurajoj çdo nismë dhe iniciativë që i shërben qëllimit tonë të përbashkët. Jam besimplotë në arritjen e këtyre qëllimeve, ju uroj punë të mbarë!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb