TIRANË

7 500 delegatë të kuvendit kombëtar të Partisë Demokratike janë thirrur sot në Pallatin e Kongreseve për të votuar këshillin e ri kombëtar si dhe për të vendosur rrugën ku do të ecin demokratët në këtë mandat të tretë në opozitë. Me këshillin e ri kombëtar, Partia Demokratike nis një fazë të gjerë ristrukturimi, duke nisur nga nënkryetarët, sekretarët e më pas edhe ristrukturimin në bazë. Kuvendi kombëtar që është organi më i lartë vendimmarrës i PD-së do të nisë në orën 11.00 me fjalën e Lulzim Bashës, më pas do të flasin 19 politikanët që drejtuan betejën për 25 prillin në të gjithë vendin, e në fund është parashikuar një hapësirë për diskutime.

Në kuvend do të diskutohen edhe qëndrimet politike si dhe faza e parë e analizës për zgjedhjet e 25 prillit. Janë rreth 12 propozime të Lulzim Bashës për ndryshimet në statut, të cilat janë kryesisht teknike dhe sjellin ndryshime thelbësore, përfshirë dhe mosprekjen e mandatit të kryetarit. Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi, kërkuan ndryshime në statut, ku kryesorja ishte largimi i kryetarit, në qoftë se humb zgjedhjet. Kuvendi parashikohet të zgjasë disa orë, pa parashikuar procesin e numërimit të votave për Këshillin Kombëtar. Lulzim Basha, do të mbajë fjalën kryesore, ku do të mbajë qëndrimet politike për hapjen dhe strukturimin e PD-së, por dhe për raportin që do ketë me institucionet, përfshirë Kuvendin.

PROPOZIMET
Mes 600 emrave të propozuar në kryesi nga Lulzim Basha, Kuvendi do të përcaktojë me votë 300 anëtarët e rinj të këtij forumi, që do të përzgjedhë më pas edhe kryesinë re, ndonëse kësaj të fundit ende si ka mbaruar mandati. Lista e gjatë e propozimeve të liderit demokrat nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të këshillit kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ishsekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe kryetarin e këshillit, Bujar Nishani. Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht. Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillit Kombëtar, apo Lulzim Basha ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD.

NDRYSHIMET
Në kuvendin kombëtar demokratët sot do të votojnë edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e Kryesisë. Përmes tyre Basha synon zgjerimin e kryesisë, këshillit kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve. Kuvendi kombëtar do të njihet, gjithashtu, edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. Pas Lulzim Bashës dhe 19 drejtuesve politikë të qarqeve, fjala do të jetë e hapur për këdo. Por, më shumë se lista e folësve dhe çështjet që do të votohen, moment më i rëndësishëm i Kuvendit është mesazhi që do të përcjellë Lulzim Basha. Partia Demokratike e sheh përgjegjësinë e humbjes në zgjedhje më shumë tek faktorët e jashtëm, sesa ata të brendshëm, duke i cilësuar masakër elektore zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në analizën e prezantuar dhe miratuar në mbledhjen e kryesisë që zgjati afro 2 orë e gjysmë renditen 13 konkluzione, të cilat sipas Partisë Demokratike sollën humbjen e saj në këto zgjedhje. Demokratët në këtë dokument i mëshojnë faktit se në zgjedhje qeveria u angazhua në një operacion masiv dhe skemë sistematike në shkallë të gjerë të blerjes së votave, në bashkëpunim me kartelet e drogës dhe bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar, të cilat në shumë raste sipas demokrateve u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: