Instituti i Sigurimeve shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe bankat në vend kanë nisur shpërndarjen e bonusit prej 3 mijë lekësh për pensionistët. Në një intervistë për News24 drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado thotë se janë disa kategori qytetarësh që përfitojnë bonus në fundvit.

“Të gjithë pensionet familjarë, pensionet e invaliditetit, pensionet sociale, të gjithë personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi; veteranë luftë që nuk marrin pension tjetër ose invalid luftë por që nuk marrin një pension tjetër nga skema e detyrueshme; të gjithë ish-minatorët që përfitojnë pension për shkak të ligjit 150, të gjithë trajtimet e veçanta të minatorit, të ish-industrisë ushtarake”, sqaron drejtori i ISSH.

Fondi që parashikohet të jepet nga buxheti për këtë qëllim arrin në masën e 2 miliard lekëve. Vetëm në dy ditët e para të lëvrimit të fondit 190 mijë pensionistë kanë arritur ta përfitojnë atë, ndërkohë që Drejtori i ISSH Astrit Hado thotë se zyrat e postës shqiptare do të qëndrojnë të hapura me orar të zgjatur për të lëvruar edhe pjesën tjetër të fondit.

“Në total, deri më sot janë bërë 136 mijë pensionistë që e kanë përfituar këtë lloj shpërblimi. Njëkohësisht të gjithë ata persona që e tërheqin pensionin me bankë janë kredituar në llogaritë e tyre dhe bëhet fjalë për 50 mijë qytetarë që i është kredituar llogaria me masën e shpërblimit dhe shkon tek 190 mijë persona që janë paguar. Pjesa tjetër gjatë ditëve në vijim. Posta do punojë me orare të zgjatur”, sqaroi Hado.

Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 31 dhjetor, do të mund ta marrin atë gjatë vitit 2020.
“Asnjë person që nuk e tërheq dot për arsye më të ndryshme nuk iu humbet kjo e drejtë. Ata kanë të drejtë që ta tërheqin edhe gjatë 2020. Fondet janë marrë nga qeveria dhe janë transferuar në buxhetin e ISSH. Nuk ka asnjë lloj rreziku”, u shpreh Hado.

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të ofrojë për qytetarët shërbimet online.
“Të gjithë aplikimet për pension pleqërie, invaliditeti, suplementarë, familjarë nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të bëhen online. Që do të thotë që qytetarët nuk është e nevojshme të paraqiten në sportele por nga shtëpia e tyre me kompjuter ta bëjnë kërkesën për këtë lloj përfitimi ta bëjnë online nëpërmjet portalit e-albania. Ky formular ofron mundësinë edhe të skanimit të dokumenteve që do dorëzojnë tek sigurimet shoqërore. Duke qenë se ky proces është i ri dhe shpesh për kategorinë e pensionistëve e vështirë për t’u realizuar të gjithë punonjësit do t’i asistojnë të gjithë pensionistët që mund ta bëjnë”, deklaroi Hado.

Aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore ofron 63 shërbime për qytetarët ndërsa numri i aplikime brenda një viti arrin në 390 mijë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb