BRUKSEL

Ka përfunduar pas një ore e gjysmë takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, ku nga të dhënat e para kreu i shtetit serb ka deklaruar se është rënë dakord për vijimin e dialogut në nivel të lartë deri në fund të muajit korrik.

Takimi është zhvilluar me ndërmjetësimin e Josep Borrell, shef i diplomacisë evropiane. Më parë, Borrell ka biseduar në takime të ndara fillimisht me delegacionin e Kosovës e më pas me atë të Serbisë.

Përfaqësuesi serb në dialog, Petar Petkoviç, për mediat serbe tha në Bruksel se ata janë të shqetësuar për shkak të bashkëpunimit të ngushtë mes BE dhe SHBA, por do të vazhdojnë betejën për interesat e tyre, ndërsa nga pala e Kosovës deri tani nuk ka pasur prononcuar.

Takimi ka nisur në orën 11:00, ndërsa në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Pas takimeve të ndara, Borrell ka deklaruar se “Jam pritës i një takimi të ri të dialogut Beograd-Prishtinë, të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë sot me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti. Dialogu dhe rezultati nga dialogu është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, (dialogu u deritanishëm) solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”.

Kujtojmë se Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb