Papa Françesku ka nisur takimin historik me Patriarkun Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse. Ata përqafuan njëri-tjetrin dhe nisën takimin, i cili po zhvillohet në aeroportin ndërkombëtar të Havanës në Kubë.

Ky është takimi i parë mes kreut të Kishës katolike dhe kreut të Kishës ortodokse ruse qëkur u ndanë degët e krishtërimit në shekullin e 11-të.

Kisha Ruse Ortodokse ka bërë të ditur se persekutimi i të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut do të jetë tema kryesore e bisedimeve. Papa dhe Patriarku Kirill pritet gjithashtu të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët.

Dy udhëheqësit fetarë pritet të bashkohen me një apel për dhënien fund të persekutimit dhe vrasjes së të krishterëve në Lindjen e Mesme. Papa do të qëndrojë në Kubë për rreth 3 orë e gjysmë, ndërsa më pas do t’i drejtohet Meksikës për një vizitë 5-ditore. Patriarku Kirill përveç Kubës do vizitojë Brazilin dhe Paraguajin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb