TIRANE

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural filloi turin e informimit të fermerëve mbi thirrjen e parë të aplikimeve për mbështetje në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillim rural nëpërmjet programit IPARD II.

Ministria e Bujqësisë bën me dije se në datën 30 Nëntor 2018 deri në datën 30 Janar 2019, priten pranë zyrës qendrore të AZHBR aplikimet për mbështetje në 3 masat e IPARD:

Masa 1. Investime në fermë – Mbështetje deri në 70% të vlerës, për investime nga 10 000 Euro deri në 500 000 Euro.

Masa 3. Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale – Mbështetje deri në 50% të vlerës për investime nga 25 000 Euro deri në 2 000 000 Euro.

Masa 7. Investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat(agroturizëm, turizëm rural, produkte tradicionale etj) – Mbështetje deri në 65% të vlerës për investime nga 10 000 Euro deri në 400 000 Euro.

Ministri Peleshi i pranishëm në takimin e parë të këtij turi informues me fermerë dhe sipërmarrës në Qarkun e Tiranës, e konsideroi këtë program si mundësinë më të madhe që bujqësia dhe fshati ka patur ndonjëherë.

“Mbështetja më e madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi, zona rurale, ka patur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit. Sot është takimi i parë promovues, jemi në muajin e promovimit, informimit, lidhur me këtë program që quhet IPARD. Në datën 30 nëntor filllojmë të presim aplikimet, kjo thirrje qëndron e hapur deri në fund të janarit, pra këmi 3 muaj kohë për të kthyer një projekt ide apo një dëshirë në një project aplikimi, ky është qëllimi i këtij turi që fillojmë sot dhe do të shpërndahemi me intensitet të lartë në të gjithë Shqipërinë”- tha ai.

Gjithashtu Peleshi theksoi edhe njëherë mundësitë e mbështetjes që krijon IPARD.

“Masa e parë që mbështetet nga IPARD-I, janë investimet në fermë, në bujqësi edhe blegtori, mbështeten investime në vlerën nga 10 000 deri në 500 000 euro, në masën minimalisht 60%. Parimisht mund të fitojnë edhe fermerët e vegjël, cështja është që sado i vogël të jetë ky investim, duhet të arrihet standardi i kërkuar. Masa më fantastike është masa e tretë, diversifikimi i ekonomisë në fshat, atje kemi mundësi të mbështesim biznese jo konvencionale, jo një fermë bujqësore apo një fermë blegtorale, por cdo lloj biznesi në fakt që mbështetet në fshat”- tha Peleshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb