Në Serbi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit i punëtorëve të sektorit të biznesit në shtetet e Ballkanit. Rreth 8.000 punëtorë nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë paraqitur në Serbi për t’u vaksinuar kundër koronavirusit gjatë kësaj fundjave. Vaksinimi po bëhet nën organizimin e Dhomës Ekonomike të Serbisë, e cila në bashkëpunim me Qeverinë serbe, ka siguruar 10.000 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Më herët gjatë javës, përfaqësuesit e Dhomës Ekonomike të Kosovës kanë refuzuar që të shkojnë në Beograd për t’u vaksinuar, duke u thirrur në “arsye parimore”. Por, nga Dhoma Ekonomike Serbe kanë deklaruar se disa biznesmenë nga Kosova janë paraqitur direkt tek ata për vaksinim. Agroni, një punëtor i Aeroportit të Tiranës, pas vaksinimit në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ishte një mundësi e mirë që ai të imunizohej kundër sëmundjes COVID-19. “Mendoj që organizimi ishte i mirë, çdo gjë ishte në rregull”, tha ai. Serbia po prin në rajon me numrin e vaksinave të siguruara kundër koronavirusit.

Në anën tjetër, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri më tani nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Zyrtarët e qeverisë paraprake kanë thënë se në muajin mars do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas, që janë në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: