Pas akomodimit të banorëve, banesat e të cilëve u dëmtuan nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit, tashmë puna është fokusuar në inspektimin e objekteve për të përcaktuar shkallën e dëmtimit të tyre. Në bashkinë e Vorës, katër grupe inxhinierësh kanë nisur punën duke inspektuar çdo godinë të dëmtuar.

Në përbërje të këtyre grupeve, krahas inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, janë edhe inxhinierë të ardhur nga Rumania. Vora, Kodër-Vorë dhe Marqinet, janë zonat e para ku ka nisur ky proces, pasi janë edhe zonat që kanë numrin më të madh të godinave. Pas tyre procesi do të vijojë edhe në fshatrat e tjerë të kësaj bashkie.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Deri më tani janë inspektuar rreth 90 godina, nga të cilat 18 prej tyre janë godina arsimore. 40 objekte janë shpallur të pabanueshme, pas vlerësimeve të bëra nga ana e inxhinierëve, si dhe dy shkolla.

Ndërkohë sa u takon banorëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit, janë akomoduar pranë kampit të emergjencave të ngritur nga Qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me Emergjencat Civile Italiane. Krahas strehimit, banorëve në këtë kamp u është siguruar edhe ushqim, kujdes shëndetësor, ndërsa për fëmijët janë organizuar një sërë aktivitete argëtuese dhe pedagogjike.

Banorët, të cilët nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre, janë akomoduar në çadra, të vendosura pranë banesave të tyre, teksa u është bërë thirrje që të mos hyjnë në banesat e dëmtuara deri në momentin e vlerësimit të tyre nga ana e inxhinierëve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb