Nis zbatimi i projektit “1 FUTURE”, financuar nga Bashkimi Europian, që ka në fokus ngritjen e kapaciteteve për forcimin e kërkimit dhe mësimdhënies në fushat e lidhura me Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Ndryshimet Klimatike. Në këtë projekt të përbashkët janë të angazhuar 18 partnerë nga vende të ndryshme dhe 3 partnerë të asociuar. Pjesë e këtij programi të rëndësishëm është edhe universiteti “Luarasi”.

“Ne jemi një nga universitetet e para private në Shqipëri, themeluar që në vitin 2003 dhe universiteti “Luarasi” po kalon eksperienca të gjera në fusha të ndryshme, siç është ekonomia, juridiku, shkenca kompjuterike dhe së fundmi shkenca mjekësore. Universiteti ofron ciklet e saj në bachelor dhe në master duke përfshirë atë profesional dhe shkencor. Këtë vit kemi aplikuar për studime doktorature në Ministrisë e Arsimit, kryesisht në fushën e sigurisë kibernetike. Universiteti ka nënshkruar disa marrëveshje me shumë universitete në të gjithë Bashkimin Europian dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin në programet Erasmus dhe me vendet e BE-së”, tha Elona Pojani.

Elona Pojani, koordinatore e “1 FUTURE” tregon se projekti ka synim trajnimin e vazhdueshëm të stafit, kurrikula të reja, por edhe ngritjen e një platforme bashkëpunimi. Profesoresha nga Novi Sadi, Miriana Labën tha se bashkëpunimet kanë qenë të shkëlqyera dhe uroi që të zgjerohen edhe më tej.

“Ky është projekti i dytë në të cilin punojmë së bashku. Bashkëpunimi i parë ishte i shkëlqyer dhe shpresojmë që ta zgjerojmë më tutje në lidhje me ndryshimet klimatike. Shpresojmë që ky projekt të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor që të jenë sa më të përgatitura për anëtarësim në BE”, tha Labën. Projekti “1 Future” do të zbatohet për një periudhë 3 vjeçare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb