TIRANË- Nesër fillon dërgimi për asgjësim jashtë Shqipërisë i 116 tonëve kimikatesh të rrezikshme, që ndodhen në Qafë-Mollë, Dajt. Gjatë ceremonisë që do të mbahet me këtë rast në Qafë-Mollë do të flasin Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Tiranë, si dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Të pranishëm do të jenë edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, ambasadorët e Austrisë, Gjermanisë, Çekisë dhe përfaqësues të vendeve të tjera që kanë financuar projektin.

Këto lëndë kimike, të mbledhura nga mjedise ushtarake nga i gjithi vendi, u paketuan në mënyrë të sigurt dhe u grumbulluan në Qafë-Mollë, në fund të vitit 2013, në kuadër të një projekti të ndërmarrë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me financim të disa shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.

Ceremonia e nesërme shënon fazën e dytë të këtij projekti, gjatë së cilës do të bëhet transportimi i lëndëve kimike në tri vende: Greqi, Suedi dhe Portugali, ku do të bëhet asgjësimi i tyre.

Prezenca e OSBE-së e ka ndihmuar Shqipërinë, që nga viti 2008, në përpjekjet e saj për të asgjësuar municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet helmuese. Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar në asgjësimin e 60 tonëve mélange (një përbërës toksik i karburantit të raketave), 120 tonëve dichloroethane, si dhe ka ofruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb