Nga: VJOLLCA KONGJONI*TIRANË-Shumë fëmijë shqiptarë me sëmundje të rënda të gjakut kanë gjetur shërim falë kontributit dhe përkushtimit të humanistes së madhe Marianna Vardinoyannis. Për përkushtimin e saj, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, filantropja, themeluesja e fonadacionit me emrin e saj dhe e Spitalit ‘Elpida’, është dekoruar nga presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Nënë Tereza, në një ceremoni të veçantë.

Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, zonja e parë Odeta Nishani në fjalën e saj e ka konsideruar zonjën Vardinoyannis si shpëtimtare shpirtërash të vegjël.

“Kjo shpëtimtare shpirtrash të vegjël quhet Marianna Vardinoyannis. Mirë se erdhët në Shqipëri e dashur Marianna. Jam e lumtur që ju prita sot këtu e jam e sigurt se kontributi juaj ndaj fëmijëve shqiptarë që vuajnë nga sëmundje të rënda që kërkojnë shërim në klinika të specializuara, do të vazhdojë edhe më tej. Xhani i vogël nga Korça vetëm 6 muajsh më një sëmundje të rëndë në mëlçi duket se tashmë po shkon drejt shërimit. Po kështu edhe fëmijë të tjerë shqiptarë presin të kurohen pranë Spitalit tuaj. Ndihma juaj për këta fëmijë shpesh herë të pashpresë, është pakrahasueshme , e ne Shqiptarët qe kemi eksperienca tona kombëtare me një humaniste botërore si Nënë Tereza, dimë të kuptojmë humanizmin e bamirësinë. Ju falënderoj për gjithçka që ju bëni dhe gjithçka që keni marrë përsipër të vazhdoni për kurimin e fëmijëve shqiptarë me sëmundje të rënda onkologjike si dhe për ndihmën e vyer që ju po jepni për Spitalin Nënë Tereza në Tiranë.”- u shpreh Odeta Nishani.
Humanistja Vardinoyannis kujton me emocion takimin e parë në Greqi me Odeta Nishanin, e cila mbante në krah Xhanin e vogël 6 muajsh nga Korca, që vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Është nderi i madh të vlerësohem me këtë titull të vecantë. Kur fillova veprimtarinë time përpara 25 vjetësh ndoqa një vizion të madh, ndërtimin e një bote më të mirë për fëmijët e sëmurë , sot ndiej një emocion të madh se ky vizion më solli pranë jush dhe konkretisht ura e shpëtimit për të shëruar xhanin e vogël mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk do ta harroj kurrë atë të ditë të mrekullueshme kur zonja e parë Odeta Nishani erdhi në Athinë, mbante në preher Xhanin e vogël dhe mbështeti prindërit e tij tepër të emocionuar. Bashkëpunimi ynë është tepër i cmuar dhe u shton një tjetër hallkë lidhjeve shumë vjecare që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona prej shumë vitesh.”- tha Marianna Vardinoyannis.

Më herët humanistja Vardinoyannis ka vizituar fëmijët me sëmundje onkologjike ne Departamentin e Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për zonjën e parë të vendit Odeta Nishani, kjo vizitë do të krijojë mundësinë e përgatitjes së një Marrëveshje Ndërshtetërore për kurimin e fëmijëve shqiptarë me probleme të tilla onkologjike.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: