TIRANE- Kombëtarja e futbollit shqiptar ka marrë dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Pas arritjes së fitores me Armeninë dhe kualifikimin për Euro 2016, Kreu i Shtetit shqiptar ka dekoruar “Nderi i Kombit” edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Teksa ka vlerësuar arritjen e kombëtares shqiptare, Presidenti tha se kjo është një ngjarje historike për futbollit shqiptar.

“Mbështetje pa kushte e pakufi që çdo shqiptar i bën kombëtares sonë. Është fitore e merituar për kombëtaren tonë. Sot ne ndihemi më krenarë se kurrë e më të bashkuar se kurrë. Këtë nuk e konstatoj vetëm unë, por e thonë të gjithë në mbarë kombin shqiptar.

FSHF dhe drejtuesit e saj kanë punuar me profesionalizëm për vite me radhe. Me mund për të grumbulluar talentet e futbollit shqiptar. Për shkak të rrethanave historike e ekonomike, shumë talente janë larguar në mbarë botën, ku edhe korrin suksese.

Për herë të parë, futbollistët e Kombëtares do të na përfaqësojnë në një kompeticion europian. Kjo kombëtare drejtohet nga një trajner i aftë dhe i paepur. Ai ka ditur të guxojë më shumë dhe ta organizojë ndryshe ekipin”, tha Presidenti Nishani.

Gjithashtu gjatë kësaj ceremonie Presidenti Nishani vlerësoi Federatën Shqiptare të Futbollit me Titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e rëndësishëm dhe vizionar në drejtim të futbollit shqiptar gjatë viteve duke punuar me përkushtim, seriozitet, ndërgjegje dhe aftësi të larta profesionale për përzgjedhjen dhe grumbullimin e talenteve më të spikatura kombëtare dhe rritjen cilësore të këtij sporti mbarëpopullor. Për meritat e pamohueshme në arritjen e rezultatit historik që mundësoi kualifikimin e Shqipërisë në fazën finale të Kampionatit Europian ‘Francë 2016’.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: