TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 qershor, ashtu siç parashikon marrëveshja e arritur disa ditë më parë mazhorancë-opozitë.

Po kështu, në bazë të kësaj marrëveshje, Kreu i Shtetit dekreton po këtë datë, për zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë Kavajë.

Në një deklaratë për mediat, institucioni i Presidencës vlerëson marrëveshjen Rama-Basha për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Sakaq, Presidenti Nishani vlerëson kontributin e ndërkombëtarëve në arritjen e kësaj marrëveshje.

DEKLARATA E PLOTE DHE DEKRETI
Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani është njohur tashmë me arritjen e marrëveshjes politike midis mazhorancës dhe opozitës, të datës 18 maj 2017, marrëveshje që mundëson përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si dhe në zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar të Bashkisë Kavajë.

Në vijim të iniciativës së Tij institucionale e të vazhdueshme për të nxitur dialogun politik me synim gjetjen e zgjidhjes politike mbi baza kompromisi, Presidenti i Republikës vlerëson maksimalisht këtë marrëveshje si një arritje të rëndësishme me interes për vendin dhe popullin shqiptar.

Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit gjithashtu shpreh mirënjohjen dhe ndaj kontributit të çmuar të dhënë nga miqtë evropianë dhe amerikanë të Shqipërisë.

Në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare dhe të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë, pjesë e kësaj marrëveshje politike, Presidenti i Republikës vendosi të miratojë këto kërkesa, si vijon:

• Ndryshimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, më 25 qershor 2017. Theksojmë se kjo datë i përket ditës së dielë të fundit të periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

• Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka vendosur të dekretojë të njëjtën datë, 25 qershor 2017 dhe për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë.

* * *

D E K R E T

PËR NJË NDRYSHIM NË DEKRETIN NR. 9883, DT. 05.12.2016 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN”

Në mbështetje të nenit 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1 dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,

D e k r e t o j

Neni 1

Neni 1, i dekretit nr.9883, dt.05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, ndryshohet si më poshtë :

“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017”

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekreti 10351

Tiranë më 21.05.2017

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

* * *

D E K R E T

PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR BASHKIE, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË

Në mbështetje të nenit 92, gërma “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 10, pika 3 të ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe të nenit 3, pika 3 të ligjit Nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”

D e k r e t o j

Neni 1

Caktimin e datës 25 Qershor 2017, për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Kavajë, qarku Tiranë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekreti 10352

Tiranë më 21.05.2017

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb