TIRANË

Në kulmin e debateve për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nga ana e Presidentit të Republikës është risjellë në kujtesë momenti kur ish-Presidenti Bujar Nishani kërkoi verifikimin e Fatmir Xhafajt i propozuar atë kohë nga kryeministri për postin e ministrit.


Për të folur për këtë precedent dhe për të shpjeguar çfarë kompetencash ka Presidenti i Republikës, ish-Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka folur sot në një lidhje direkte me emisionin “Dritare me Rudinën” në News24.

Nishani tha se ka kërkuar informacion për Xhafajn ashtu si për çdo kandidaturë tjetër për ministër. Ai kujtoi se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk e konsideron formal angazhimin e Presidentit në emërimin e ministrit.

Zotin Meta e lejon Kushtetuta të mos e dekretojë propozimin e kryeministrit?
Bujar Nishani: E drejta kushtetuese për përzgjedhjen e kandidaturës është e kryeministrit. Presidenti ia ka dhënë të drejtën e zgjedhjes së kandidatëve kryeministrit që ditën që e ka dekretuar si kryeministër. Jo vetëm që Kushtetua e parashikon por kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk e konsideron formal angazhimin e presidentit në emërimin e ministrit. Me dekretimin e zotit Xhafaj kam kryer të njëjtën procedurë për çdo ministër. Kriteri bazë i emërimit të një ministri është që plotëson kushtet për të qenë deputet. Në momentin që i plotëson kushtet për të qenë deputet atëherë presidenti ka të drejtë të kërkojë informacione rreth këtij personi në mënyrë që nesër pasnesër të mos e vendosim shtetin shqiptar në pozitë të vështirë për shkak të së shkuarës së personit që do të bëhet ministër.

Unë kam marrë gjithë kohën e duhur për të verifikuar zotin Xhafaj. Më rezultoi që zoti Xhafaj e plotësonte kriterin bazë sepse vinte si deputet dhe i jam drejtuar të gjitha institucioneve, KLSH-së, Prokurorisë, SHISH, institucionit të verifikimit të dosjeve dhe në përfundim të afateve që iu kisha vënë këtyre institucionet erdhën përgjigjet dhe konfirmonin që zoti Fatmir Xhafaj nuk kishte asnjë problem që mund të konfondonte pozicionimin e tij si ministër i Brendshëm dhe që mund të vendoste shtetin shqiptar në një pozitë të vështirë në vijimësi. Natyrisht në këtë situatë Presidenti nuk mund të bëjë më gjykim politik, nuk ka të drejtë.

Në atë kohë për zotin Xhafaj kishte një rast, që kishte qenë hetues gjatë regjimit. Madje kishte dhe persona që e akuzonin. Por kjo si pikë nuk parashikohej në çështje kushtuese që e ndalonin të bëhej ministër. Në këtë kontekst iu deklarova qytetarëve shqiptarë që nga pikëpamja mora dhe nga rrethanat e situatës nuk është kandidatura e përshtatshme por i mbetej zotit Xhafaj që vendoste. Vijmë tek rasti i Zotit Meta.

Unë besoj dhe sa kam arritur të kuptoj nga artikulimet e këtyre ditëve si nga Presidenti ashtu dhe nga kryeministri, argumentet e sotme ishin të papërshtatshëm për një kryeministër. Unë besoj që Presidenti i Republikës ka më shumë sesa një arsye për mosdekretimit të zotit Lleshi.

Sot dëgjuam në parlament kryeministrin publikisht se në takimin që pati presidenti i ka dhënë një arsye që Rama e quajti qesharake. Presidenti nuk është i detyruar që të njoftojë publikisht arsyet e tij, veçanërisht në rastet kur ne nuk e dimë se çfarë ka në dokumentet që kanë ardhur në zyrën e Presidentit nga prokuroria, ushtria, SHISH apo KLSH. Neve na dha një argument kryeministri sot në Kuvend. Ai lexoi letrën e presidentit, çka është jo qytetare dhe jo civile në këndvështrimin tim. Nga ana tjetër kryeministri tha se ‘nëse është ajo arsyeja që ma ka thënë në zyrë, nuk do dëshiroja që të kisha një president qesharak’.

Nëse ka një arsye dhe argument që ia ka dhënë kryeministrit do të thotë se presidenti paska arsye kushtetuese. Unë besoj që nëse ka ndonjë njeri që beson se presidenti i Republikës, edhe në rastin aktual zoti Meta që ka një eksperiencë të gjatë, mund të marrë një veprim të tillë për të mosdekretuar një ministër për arsye personale, kjo është naive. Kështu që ne duhet të dimë dhe duhet të shohim se çfarë janë ato shkresa që i kanë shkuar Metës. Nëse kryeministri u tha shqiptarëve që Meta i ka dhënë një arsye, atëherë ai duhet t’ua thoshte shqiptarëve atë arsye që sipas tij ishte qesharake.

A kishit dijeni për vëllain e ministrit Xhafaj?
Në tryezën time nuk ka ardhur asnjë informacion për vëllain. Nuk e dija. Edhe në rast se do ishte afishuar ajo dosje. Ajo dosje nuk e implikonte dhe e ngarkonte me përgjegjësi personale zotin Xhafaj. Ajo mbetet përgjegjësi morale. E kam thënë edhe pasi ka shkuar në burg vëllai i zotit Xhafaj. Nuk mund ta akuzojmë për përgjegjësi ligjore zotin Xhafaj sepse është përgjegjësi individuale. Unë i jam drejtuar institucioneve për informacion.

Ju kujtohet para pak kohësh që një anëtar i Gjykatës së Lartë doli që ishte dënuar vetë në Itali. Unë e kisha dekretuar këtë si anëtar të Gjykatës së Lartë. Parlamenti e miratoi si anëtar. Paraardhësi im e kishte dekretuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese pa e ditur këtë informacion si dhe parlamenti i kohës.

Paraardhësi i paraardhësit tim e kishte dekretuar për në gjykatën e Apelit. Në një moment të caktuar erdhën të huajt dhe e informuan shtetin shqiptar për këtë problem.

Keni dijeni për problemet që mund të ketë zoti Lleshi?
Më duhet të shikoj Presidenti i Republikës por jam i bindur që nuk mund t’i shikoj në statusin që jam.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)