SHBA- Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim të hapur me studentë dhe profesorë të “Manhattan College’”, në Riverdale të Nju-Jorkut. Gjatë fjalës së tij në ligjëratën me temë “Mbi tolerancën fetare” në kuadër të programit kolegjial “Holokausti, Gjenocidi dhe Edukimi Ndërfetar” Nishani theksoi rëndësinë e vendin tonë në ndihmën që i ka ofruar hebrenjve. Fillimisht Kreu i Shtetit shqiptar u mikprit nga Presidenti i Kolegjit, Prof. Dr. Brennan O’Donell si dhe nga Drejtorja e Qendrës mbi Holokaustin, Gjenocidin dhe Edukimin Ndërfetar, Dr. Mehnaz M. Afridi, me të cilët shkëmbeu gjithashtu mendime dhe pikëpamje pёr zhvillimet nё Shqipëri, nё rajon e nё botë si dhe për tё ardhmen evropiane tё vendit tonё. Teksa u ndal tek marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrenjve, presidenti Nishani pohoi se fillesat e marrëdhënieve janë shumë të hershme. “Duke ju falënderuar përzemërsisht për ftesën dhe mikpritjen që më keni rezervuar, më lejoni t’ju parashtroj disa mendime dhe ide rreth temës aq të rëndësishme të tolerancës fetare, por sidomos të paraqes edhe disa fakte kokëforta historike e shembuj ende të pazbuluar plotësisht, prej të cilave mund të nxëmë edhe më mirë mësimet e vlefshme të jetës dhe përvojave sa të hidhura, por aq edhe shpresëdhënëse.

Marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve janë aq të hershme sa fillesat e tyre të dokumentuara e kanë origjinën rreth dy mijëvjeçarë më parë, që në vitin 70-të të erës sonë. Vala e parë e hebrenjve ladino në qytetin portal të Vlorës me praninë e 528 familjeve dokumentohet që në shekullin e XV, pas përzënies së tyre nga Spanja në vitin 1492. Më pas rreth 25 familje hebreje zunë rrënjë në qytetin e lashtë të Beratit, ndërsa të tjerë nisën jetën e tyre të re në qytetet si Janina, Durrësi dhe Elbasani. Gjatë pushtimit shumëshekullor osman, Shqipëria dhe shqiptarë gjithmonë i mikpritën dhe duke i pranuar pa kushte hebrenjtë sefaradikë, të cilët për arsye nga më të ndryshme vendosnin të zgjidhnin vendin tonë për të ngritur familjet dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre. Vlen për t’u përmendur ndoshta më i famshmi prej tyre, “Mesia i rremë” nga Smirna (Izmiri) Shabatai Cvi, i cili u syrgjynos nga Sulltani turk në Shqipëri ku edhe vdiq në vitin 1647. Duhet vënë në dukje se, pavarësisht se Shabatai Cvi nuk ishte ndoshta shpëtimtari që hiqej me të madhe, nga vendasit myslimanë dhe të krishterë u konsiderua dhe u respektua si një njeri i shenjtë.”, tha Nishani.

Më tej Nishani tha se në vitin 1930-të në Shqipëri u realizua regjistrimi i parë i besueshëm modern, nga i cili u zyrtarizua se 204 hebrenj jetonin aty si rezidentë. “Në fillim të viteve 1930-të, Ambasadori amerikan, ose Ministri Herman Bernstein ishte hebre. Duke qenë edhe vetë një diplomat karriere, por edhe studiues ai e njohu nga afër shoqërinë shqiptare me të gjitha virtytet e saj dhe i bëri shumë përshtypje toleranca fetare që mbizotëronte. Në atë kohë në Shqipëri kishte pesë bashkësi fetare që jetonin në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Ambasadori Bernstein, duke ditur fare mirë se çfarë po u ndodhte bashkëkombasve të tij në Evropën e nënshtruar nga thundra barbare naziste, shkroi në atë kohë fjalinë profetike: “Shumë shpejt Shqipëria mund t’u japë azil refugjatëve hebrenjve, të cilët po i gjejnë të gjitha dyert e tjera të mbyllura kudo”. Në raportet e tij drejtuar Uashingtonit D. C. gjatë viteve 1930-33, Ambasadori Bernstein se: “Nuk ka as edhe një gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse ky vend ka qëlluar të jetë një truall i rrallë në Evropën e sotme ku nuk ekziston paragjykimi dhe urrejtja fetare, edhe pse shqiptarët vetë janë të ndarë dhe u përkasin tre feve”.

Pavarësisht periudhës së errët të Shoah-ut dhe pushtimit italian e më pas, atij gjerman, koha provoi se vëzhgimi i amerikano-hebreut diplomat kishte qenë më tepër se i saktë, sepse pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore më 1945-n, në Shqipëri numëroheshin rreth 2000 hebrenj, nga 200 që ishin aty para fillimit të saj, deri në vitin 1939. Shqipëria, jo vetëm ruajti të gjithë hebrenjtë që jetonin në territorin e saj, por shërbeu edhe si vend kalimi dhe strehimi për të gjithë hebrenjtë që largoheshin nga vende të tjera për t`i shpëtuar kampeve të përqendrimit e të shfarosjes. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë edhe një hebre që ndodhej brenda territorit shtetëror të saj. Në Shqipëri hebrenjtë jo vetëm që nuk u përndoqën duke u bërë viktima të shfarosjes, por përkundrazi, u strehuan, u mbrojtën dhe u shpëtuan. Në vendin tonë nuk ndodhi asnjë përzënie me forcë e hebrenjve qoftë nga autoritet shtetërore, qoftë nga populli i thjeshtë. Gjithashtu në Shqipëri nuk u shënua asnjë rast bashkëpunimi të vullnetshëm apo të detyruar me nazistët për zbatimin e planit makabër të “zgjidhjes përfundimtare” që ishte vendosur në Konferencës famëkeqe të Vanzesë.

Pas kapitullimit të Italisë në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1943, shqiptarët strehuan, deri në fundin e luftës, të gjithë ushtarët italianë, dikur pjesëtarë të një ushtrie pushtuese, që trokitën në dyert e familjeve shqiptare për t`i shpëtuar përndjekjes naziste. Kjo sjellje tipike dhe karakteristike e ka bazën te kodi shqiptar i nderit “Besa”, pjesë gjenetike e kulturës dhe sjelljes shqiptare e trashëguar brez pas brezi ndër shekuj. Besa do të thotë “të mbash premtimin” dhe “fjalën e nderit”. Në jetën e përditshme do të thotë të kujdesesh për dikë që është në hall, ose ka nevojë duke i ofruar mikpritje dhe mbrojtje. Është diçka pak a shumë e ngjashme me konceptin hebraik të “mitzvah-s” (micva: urdhëresë e shenjtë që nënkupton një veprim të mirë,), sepse mes dy kombeve tona relativisht të vegjël në numër, që aq shumë kanë vuajtur gjatë rrjedhave të historisë, ka shumë ngjashmëri të rastësishme historike dhe kulturore. Prandaj pati edhe aq shumë shqiptarë me familjet e tyre, të cilët në saje të veprimeve bujare dhe altruiste, madje duke vënë në rrezik e dhe jetën, sot janë shpallur dhe njihen si “Të Drejtë mes Kombeve” nga Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Shoah-ut, nga Jad Vashemi.”, tha Nishani.

Nishani u ndal dhe tek gjenocidi gjatë asaj periudhe. “Fatkeqësisht historia dhe koha treguan se njerëzimi nuk arriti të nxirrte mësimet e duhura qoftë nga shkatërrimet e dy Luftërave Botërore të shekullit të kaluar, qoftë nga barbaritë e padëgjuara më parë të krimeve naziste apo edhe ato staliniste. Shembujt e Ruandës, Bosnjes, gjenocidi serb në Kosovë, situata në Irak e në Siri – të gjitha këto na tërheqin vëmendjen rreth paaftësisë dhe mospërfilljes sonë për të mësuar ato që duhen nga historia. Po mund t’ju pohoj me plot gojë se shqiptarët nuk ranë në grackën e “ngjyrimeve fetare” të tragjedisë fundit, gjatë viteve 1990-të në Ballkan. Konfliktet e dhunshme, që shoqëruan shpërbërjen jokonsensuale të ish-Jugosllavisë ishin pasojë e politikës shoviniste serbe dhe e ndërthurjes së interesave të vjetra në rajon. Motivet fetare ishin përpjekje për të mbuluar karakterin hegjemonist të një lufte për territore etnikisht të pastra, të shoqëruar me spastrime të tmerrshme etnike. Ata shërbyen, gjithashtu, për të mobilizuar fanatikët, pra, për t`u hedhur benzinë flakëve të luftës. Shqiptarët e Kosovës formësuan “rezistencën paqësore”, si një qasje pragmatike për të ruajtur qenien e tyre njerëzore nga vala e gjenocidit serb dhe për të arritur pavarësinë nga Beogradi. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, shqiptarët shumicë po bashkëpunojnë me serbët dhe minoritetet e tjera etnike për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës, bazuar në standardet më të përparuara të respektit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Edhe pse ende nuk dihen varret e të zhdukurve nga dhuna shtetërore serbe dhe plagët prej saj janë të freskëta, Prishtina pranoi të bisedojë me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hir të së ardhmes së të dy popujve dhe të gjithë rajonit. Marrëveshja e kryeministrave Thaçi-Daçic e prillit 2013, bisedimet dhe kontaktet e vazhdueshme mes dy palëve, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale të Kosovës dhe marrëveshje të tjera në proces, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton si dhe të mbështetura nga SHBA-ja, janë arritje të paimagjinueshme më parë të këtij dialogu. Shqiptarët e shpërndarë në disa shtete, përfshi këtu edhe ata në Luginën e Preshevës, Maqedoni e në Malin e Zi, po mbështesin pa mëdyshje proceset demokratike dhe euro-integruese në vendet ku jetojnë. Kësisoj, ata janë investitorët kryesorë të paqes dhe të imazhit të ri të Ballkanit.

Sot në shekullin XXI, vendi im vazhdon t’i ofrojë botës mbarë të njëjtin model si një shtet ku gjallojnë gjashtë besime zyrtare fetare si dhe ku mbizotëron toleranca, harmonia dhe bashkëjetesa fetare një diamant i ndritur në kurorën e mahnitshme që mban mbi krye Shqipëria. Ne, shqiptarët jemi dhe duhet te jemi ngaherë e me plotë të drejtë krenarë për faktin se jetojmë në një shoqëri shumëfetare, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë për shekuj në paqe dhe harmoni të plotë. Vargu domethënës i Vaso Pashë Shkodranit, njërit prej ideologëve dhe poetëve më të famshëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë moto e luftës së popullit shqiptar për liri dhe rizgjim kombëtar.

Besimet fetare myslimane, bektashiane, ortodokse, katolike, ungjillore dhe hebreje, të cilat bashkëjetojnë në harmoni janë shndërruar për ne në një vlerë të çmuar identifikuese dhe një shembull, nga i cili mund të mësojnë edhe kombe të tjera të zhvilluara. Padyshim, ky është një kontribut yni i vyer që ofrojmë jo vetëm për Bashkimin Evropian, ku synojmë të shkojmë, por edhe për botën mbarë. Në rastin e Shqipërisë të gjitha besimet janë të lidhura me kombin e me vetë ekzistencën e tij. Modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është, gjithashtu, një kolonë e palëkundur në ndërtesën e shtetit shqiptar. Drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve në institucionet dhe administratën shqiptare tradicionalisht kanë ardhur, pa paragjykim, nga të gjitha besimet, duke ruajtur me kujdes dhe urtësi ekuilibrat e shoqërisë sonë.”- pohoi Nishani.

“Sot ky model gjendet i jetësuar e i shprehur në të gjitha qelizat e shoqërisë shqiptare duke u forcuar në vijimësi, duke i rezistuar izolimit të vendit dhe ndalimit 23-vjeçar të besimit gjatë regjimit komunist, apo influencave të ndryshme që erdhën nga jashtë pas hapjes ndaj botës. Familjet e përziera dhe emrat që nuk thonë asgjë për përkatësinë fetare janë një fenomen normal shqiptar. Ne festojnë së bashku festat fetare dhe gëzimet, ndërsa kalojmë pranë njëri-tjetrit hidhërimet në jetë. Megjithatë, ne kurrë nuk e morëm këtë realitet si të mirëqenë, por kemi qëndruar të vëmendshëm ndaj rreziqeve që e kërcënojnë.

Shoqëria dhe shteti shqiptar, ky i fundit edhe pse laik, kanë qenë të vëmendshëm që politika të jetë gjithmonë dhe qartësisht e ndarë nga feja, që ajo të mos përdoret për qëllime politike. Ata kanë treguar kujdes që të edukojnë veçanërisht të rinjtë për të respektuar kufijtë dhe lirinë fetare të tjetrit, që njerëzit të kenë perceptime të drejta për fetë e ndryshme, të mësojnë se të gjitha fetë promovojnë dashamirësi dhe veprime të drejta respekti ndaj fesë tjetër, se fetë janë pjesë e traditës dhe pasurisë sonë kombëtare, etj.

Meqë jemi përpara një situate të veçantë historike ku hasemi me një harmoni ndër-fetare dhe ndërfetare, na duhet të flasim për Shqipërinë tonë dhe pikëtakimin që realizohet mes gjithë këtyre feve dhe bashkësive fetare që i ushtrojnë, jo vetëm duke shpalosur anembanë botës vlerat e kësaj tolerance, por duke e shndërruar atë në një pasuri të rëndësishëm me rëndësi njerëzore, akademike, kulturore diplomatike dhe politike për vendin tonë.

Shembulli ynë i rrallë përbën një pasuri ende të paçmuar, të cilën ne kemi detyrimin jo vetëm ta evidentojmë e ta përhapim, por edhe ta ndajmë atë bujarisht me vendet dhe popujt e tjerë, sepse në fund të fundit është pasuri e mbarë njerëzimit. Ky është njëri prej misioneve më fisnike të ndërmarra ndonjëherë nga një popull i vogël si ai shqiptar. Ai e ka treguar e sprovuar me kohë zotërimin e kësaj pasurie, por duke pasur parasysh kohët e paqëndrueshme që po kalojmë, sfidat e vështira me të cilat po përballemi, nevojën e popujve të tjerë për shembuj pozitivë, ka vendosur me plot dëshirë e me vullnet të plotë ta ndajë atë me të tjerët, pa interes, vetëm për të mirën e njerëzimit dhe një të ardhme më të begatë në paqe, harmoni dhe mirëkuptim.

Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare dhe i pranimit të tjetrit ndryshe na frymëzon në vizionin tonë për një botë të paqtë, ku racat, fetë, kulturat, të gjithë njerëzit, bashkëjetojnë në harmoni. Theofan Stiliani Noli, shkrimtari, studiuesi, diplomati, politikani, kleriku, historiani dhe përkthyesi i shquar shqiptaro, themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, më 1917-n përcolli këtë mesazh për Shqipërinë nga Amerika me vargun poetik: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Charles Telford Erickson, një misionar, diplomat dhe personalitet amerikan i shquar, i cili jetoi në Shqipëri në periudhën kohore 1908-1939, ka deklaruar më 1922 se: “Shqipëria është pothuajse aq e dashur për ta sa edhe vetë mëmëdheu i tyre, dhe asnjë vend tjetër në botë nuk e gëzon këtë përfytyrim dhe ndjenjë dashurie më shumë.”. Kjo ndjenjë ishte e logjikshme dhe më se e natyrshme, sidomos pas vetos që Presidenti amerikan Thomas Ëoodroë Ëilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris, duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Që nga viti 1945, me ardhjen e komunistëve në pushtet, deri në 1991-shin, asnjë diplomat amerikan nuk vuri këmbë në Shqipëri. Për 45 vjet, kontaktet ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës u ndërprenë plotësisht. Diktatori famëkeq shqiptar Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist u përpoqën të godasin kultin amerikan në shpirtin shqiptar, përmes një fushate propagande sistematike trushpëlarëse duke u përpjekur që dy vendet tona ta konsideronin njëri-tjetrin armiq për vdekje. Por më kot.”, theksoi presidenti.

Sipas Nishanit shqiptarët nuk reshtën kurrë së dashuri Amerikën. “Ata gjithmonë besuan te epërsia ekonomike, potenciali ushtarak, shpirti demokratik, vullneti politik, kapaciteti diplomatik dhe aftësia udhëheqëse amerikane në betejën e komunitetit demokratik për të arritur fitoren mbi tiraninë komuniste. Shtetet e Bashkuara na u gjendën gjithmonë pranë, në kalimin e vështirë, por të domosdoshëm të vendit nga sistemi njëpartiak në atë shumëpartiak, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, nga sigurimi kombëtar me bunkerë në një regjim sigurimi ndërkombëtar, nga shteti i dhunës në sundimin e ligjit, nga vendi më i izoluar në vendin anëtar të NATO-s dhe aspirues për në Bashkimin Evropian. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane shënuan kulmin e tyre me vizitën historike të Presidentit George Ë. Bush, më 10 qershor 2007 duke u farkëtuar përfundimisht më pas me pranimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009. Angazhimi intensiv diplomatik, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, i pasuar nga dy ndërhyrje ushtarake të NATO-s, nën udhëheqjen amerikane i dhanë fund dhunës në Bosnjë-Hercegovinë dhe, disa vite më vonë, në Kosovë. Pavarësia e Kosovës mban vulën e mbështetjes amerikane.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane bazohen në lidhje të forta njerëzore dhe miqësore në një hark kohor më shumë se njëshekullor. Ato janë shumëdimensionale, të pasura dhe jashtëzakonisht dinamike, me ndikim vendimtar për Shqipërinë, politikën amerikane në Ballkan, sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon e më gjerë. Vendet dhe popujt tanë ndajnë parime dhe vlera të përbashkëta. Ata janë në një front të përbashkët për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë, kurdo dhe kudo. Ja përse, aleanca dhe partneriteti ynë strategjik janë të konsoliduar dhe të paprekshëm nga çdo sfidë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson modelin e madh të një shoqërie të përzier të lirë dhe demokratike, shumetnike, shumëfetare, shumëkulturore dhe shumëracore. Përbërja e shoqërisë amerikane i jep, gjithashtu, Shteteve të Bashkuara avantazhin për të njohur më mirë dhe për të krijuar lehtësisht lidhje të preferuara me vende, popuj dhe kultura të ndryshme në botë.

Pozicioni aktual i Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit: Të gjithë ne sot, jo vetëm këtu, pro anembanë botës së qytetëruar jemi të ndjeshëm ndaj përpjekjeve të rrymave dhe influencave radikale për të gjetur terren në çdo cep të rruzullit si edhe ndaj përdorimit të motiveve fetare për qëllime plotësisht jofetare. Ka mjaft sfida, të cilat kërkojnë që të përballen sipas përparësive, me platforma dhe strategji të qarta dhe konkrete dhe njëkohësisht të adoptojmë një qasje të përbashkët për sa kohë këto sfida po bëhen një rrezik i njëjtë për të gjitha vendet, qoftë të Bashkimit Evropian, qoftë vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Jemi dëshmitarë të rritjes së vazhdueshme të terrorizmit, i cili po tregon gjithnjë e më shumë që nuk njeh kufij dhe ka për shtyllë kryesore vetëm një ideologji të caktuar: dhunën, frikësimin, veprimtarinë kriminale, aktet barbare. Situatat që po zhvillohen pandërprerë në të ashtuquajturin ISIS, të cilat po shfaqin të njëjtin kërcënim dhe akte dhune jo vetëm në Siri, jo vetëm në Irak, por kudo ku të mundin. Ngjarjet e çnjerëzore e të pakuptimta dhe shkaktarët e pashpirt të tyre provojnë qartazi se ata përdorim çdo mjet për arritjen e qëllimeve të tyre kriminale në përpjekje për t’i dhënë goditje të vazhdueshme rendit botëror duke vendosur sigurinë e qytetarëve të lirë në rrezik, nën kërcënim dhe nën dhunë e terror të përhershëm.”, bëri të ditur presidenti.

“Përballja dhe qasja më e mirë ndaj këtij fenomeni barbar në kohët moderne kërkon jo vetëm një përgjigje adekuate, por edhe një angazhim të përbashkët. Sa më të bashkuar që të jenë aktorët e botës së lirë, sa më të koordinuar që të jetë aktorët e botës së demokracisë, sa më të koordinuar dhe motivuar të jenë shoqëritë e botës së lirë që kanë sjellë ndër shekuj kulturën, qytetërimin, përparimin, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive aq më të shpejtë do ta kemi suksesin. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua aleancës ndërkombëtare në luftën kundër ISIS duke ndihmuar me format dhe metodat që aleatët i kërkuan dhe që ishin të mundshme nga ana jonë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate aktive në këtë aleancë, por jo vetëm kaq. Shqipëria është e prekur nga fenomeni i të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”, të cilët u janë bashkuar grupeve dhe organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Dëshiroj t’ju informoj dhe garantoj se ka pasur një reagim adekuat të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë duke hetuar, goditur dhe penalizuar më së pari burimet e rekrutimit të këtyre individëve duke identifikuar dhe analizuar arsyet që motivojnë dhe nxisin individë të bëhen pjesë në akte dhe veprimtari terroriste. Deri tani kemi pasur sukses në këtë drejtim dhe jam i bindur që edhe në të ardhmen do të kemi sukses. Në përfundim, si President i Republikës së Shqipërisë, si Kryetar i Shtetit shqiptar dëshiroj të shpreh dhe të nënvizoj me forcë pikëpamjen, besimin, orientimin tashmë të konsoliduar të shtetit shqiptar, të qytetarëve shqiptarë, të kombit shqiptar në rrugën pa kthim dhe pa alternativë të integrimit në Bashkimin Evropian duke vazhduar të mbetemi aleatë besnikë dhe partnerë të sprovuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës jo vetëm në NATO, por kudo ku të drejtat themelore të njeriut, liria, paqja dhe demokracia do të ndihen në rrezik. Këto synime dhe objektiva strategjike madhor do të mundemi dot t’i arrijmë pa ndihmën, mbështetjen dhe ndarjen e përvojës më të mirë nga miqtë, partnerët dhe aleatët tanë, ku Shtetet e Bashkuara e kanë shprehur, theksuar dhe sprovuar tashmë mbështetjen e patjetërsueshme për vendin dhe popullin tim në këtë rrugëtim jetik. Ju faleminderit për vëmendjen dhe jam i hapur për çfarëdolloj komenti, pyetje apo vërejtje që mund të keni!’’, përfundoi Nishani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: