TIRANË – Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbledhur sot nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani ka hedhur poshtë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedimin disiplinor të gjyqtarit E.P., transferimin e tij për një periudhë 2-vjeçare në një gjykatë të një niveli më të ulët.

KLD-ja njoftoi se “pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi: Të rrëzojë propozimin e parë të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore transferim, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët për gjyqtarin E.P. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtarin në fjalë.”

Sot, KLD-ja shqyrtoi edhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 1 vendi vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë, ku me shumicë votash, vendosi t’i propozojë, Presidentit të Republikës, emërimin e znj. Klodiana Gjyzari, si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e Këshillit vendosën që të shtynë për mbledhjen e ardhshme procesin e plotësimit të 1 vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Durrës dhe të 2 vendeve vakante, në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Këshilli shqyrtoi edhe projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për “Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve” dhe miratoi aktet e Vlerësimit për 5 gjyqtarë:
Sokol Ibi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë;
Sonjela Voskopi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
Niko Rapi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
Admir Belishta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
Valbon Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: