TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani dhe delegacionin zyrtar, nisi sot vizitën shtetërore në Bullgari me ftesë të homologut të tij, Presidentit bullgar Rosen Plevneliev.

Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se kryetari i Shtetit shqiptar pasi u prit me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Sheshin “Aleksandër Nevski” të Sofjes, ku u ekzekutuan dy himnet kombëtare respektive, vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi para Monumentit të Partizanit të Panjohur.

Të dy Presidentët zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë të pasuar nga bisedimet dypalëshe në krye të delegacioneve zyrtare respektive. Një nga temat kryesore të bisedimeve zyrtare ishte mbështetja e palëkundur nga ana e Bullgarisë ndaj Kosovës për përfshirjen e saj në nisma dhe projekte rajonale, ashtu edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sidomos për anëtarësimin e saj në UNESCO.
Më pas të dy Krerët e Shteteve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti Nishani tha se me homologun bullgar ranë dakord për nxitjen më tej të gjitha strukturave shtetërore të dy vendeve për të krijuar atmosferën e nevojshme për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe tregtar.

DEKLARATA E PLOTE E PRESIDENTIT NISHANI
Së pari, dëshiroj edhe njëherë që, në këtë konferencë shtypi, ta falënderoj Presidentin Plevneliev për fjalët e mira, si dhe t’i shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë dhe miqësore që më ka krijuar mua dhe delegacionit që më shoqëron. Faleminderit i dashur Rosen!
Sot, kisha kënaqësinë që të vijoja bashkëbisedimin e ngushtë e miqësor, me Presidentin Plevneliev, në frymën e marrëdhënieve shumë të mira, tradicionale dhe historike që ekzistojnë mes dy vendeve tona, të cilat prej më se një viti e kanë kapërcyer tashmë një shekull marrëdhënie diplomatike.
Ashtu siç u shpreh dhe Presidenti Plevneliev, në takimin e sotëm patëm mundësinë që të vlerësojmë marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të diskutojmë edhe për ato rajonale dhe shumëpalëshe, ku një vëmendje të veçantë ua kushtuam edhe sfidave dhe kërcënimeve në nivel global.
Gjithashtu, pata mundësinë që të rishpreh mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian dhe veçanërisht për mbështetjen në marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe në vijim për hapjen e negociatave të aderimit, pavarësisht vështirësive multidimensionale që vetë Bashkimi Evropian po kalon.
Në aspektin dypalësh një vëmendje të veçantë ia kushtuam edhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, që ashtu si edhe Presidenti Plevneliev, mendoj se nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve shumë të mira politike, por edhe mundësive dhe resurseve që dy vendet disponojnë.
Ramë dakord që të nxisim më tej të gjitha strukturat shtetërore të dy vendeve tona për të krijuar atmosferën e nevojshme për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe tregtar. Pavarësisht se kemi një kuadër shumë të mirë ligjor bashkëpunimi në fuqi, si dhe vullnet politik të shprehur, ende rezultatet në këtë aspekt janë larg të qenit shumë të mira.
Në mbështetje të këtij bashkëpunimi, nesër do të përshëndesim, së bashku me Presidentin Plevneliev, Forumin e Përbashkët Ekonomik Bullgari-Shqipëri.
Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, shpreha rëndësinë që Shqipëria i kushton këtij bashkëpunimi, duke theksuar se politika e fqinjësisë së mirë do të mbetet e pandryshuar.
Përshëndeta agjendën e Presidencës bullgare të organizatës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), si dhe vlerësova bashkëpunimin e shkëlqyer që vendet tona kanë në të gjitha organizatat rajonale ku bëjnë pjesë.
Në kontekstin rajonal, solla në vëmendje nevojën e implementimit të projektit multimodal të Korridorit 8, i cili do t’i japë mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve si në nivel rajonal ashtu edhe atyre dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Ndërsa, në kontekstin ndërkombëtar, një vend të rëndësishëm zuri bashkëpunimi, veçanërisht në kuadrin e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, kontributet dhe angazhimet konkrete që Shqipëria dhe Bullgaria kanë në funksion të ruajtjes së paqes dhe forcimit të sigurisë në vende e rajone të ndryshme të globit.
Sigurisht që nuk mund të liheshin mënjanë temat e emigracionit nga vendet në konflikt, si dhe kërcënimet që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe ISIS. Sa i përket emigracionit nga Siria dhe Iraku, deri tani vendet tona nuk kanë qenë rrugë kalimi, por situatat e ndryshme na bëjnë që të jemi të vëmendshëm dhe marrim masat e nevojshme për përballimin e çdo situate.
Jam i bindur se falë traditës së krijuar dhe vullnetit të shprehur, marrëdhëniet mes dy vendeve tona në të gjitha aspektet dhe fushat e bashkëpunimit, do të njohin zhvillime pozitive në të ardhmen.
Faleminderit për vëmendjen!”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: