TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me homologun Rosen Plevneliev morën pjesë sot dhe përshëndetën Forumin e përbashkët të Biznesit Bullgari-Shqipëri që u zhvillua në Sofje.

Presidenti Nishani në fjalën e tij theksoi se një nga dëshirat dhe interesat e përbashkëta ishte që përveç dimensionit politik, vizita e tij të kishte dhe një dimension ekonomik, me synimin thelbësor që t’i jepej një mundësi më shumë bizneseve të të dy vendeve, për të vijuar intensivisht kontaktet dhe gjeneruar më shumë bashkëpunim ekonomik e tregtar.

Po ashtu, Presidenti Nishani vuri në dukje se në takimet që zhvilloi dje me Presidentin Plevneliev, me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare, Tsacheva dhe me Kryeministrin Borissov u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe tradicionalisht miqësore e historike. “Vetëm një vit më parë ne kremtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe sot pas 101 vjetësh konstatojmë me kënaqësi se mes nesh nuk ka probleme”.

“Mendoj se ne si politikanë, qeveritë e të dy vendeve, por edhe të gjitha institucionet përkatëse, duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një ambient miqësor biznesi e t’ju japim ju dhe të gjithë përfaqësuesve të biznesit të të dy vendeve, por jo vetëm, garancitë dhe lehtësirat e nevojshme, si dhe të mbështesim aktivitetet tuaja përbashkëta, por dhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e infrastrukturës dhe transportit, energjetikës, turizmit, bujqësisë, industrisë agro-përpunuese, etj., por edhe në projektet rajonale, veçanërisht ato të lidhura me Korridorin VIII, mund të shfrytëzohen edhe më mirë”, tha Nishani.

Gjithashu, Presidenti Nishani solli në vëmendje faktin se “Shqipëria dhe Bullgaria janë dy vende që luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimet në Evropën Juglindore. Janë dy vende anëtare të NATO-s që japin një kontribut shumë të qenësishëm në sigurinë e rajonit por gjithashtu ndajnë dhe vizion dhe vlera të përbashkëta evropiane. Mbështetja, ndihma dhe eksperienca bullgare janë shumë të vyera për ne shqiptarët, veçanërisht në këtë fazë të afrimit me Bashkimin Evropian. Mesazhet që vijnë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe vendet anëtare, ku ndër to bën pjesë dhe Bullgaria, na inkurajojnë që të vijojmë me rrugën e reformave dhe përmbushjen e standardeve. Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur detyrat e shtëpisë dhe garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, me objektiv kryesor anëtarësim të mundshëm të vendit në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar anëtarësimin në Union si të vetmen alternativë orientuese të vendit dhe objektiv strategjik kombëtar.”
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: