VJENE- Presidenti Bujar Nishani mori pjesë sot në hapjen zyrtare të Forumit të Krans Montanas, që zhvillohet këtë vit në Vjenë nën patronazhin e Presidentit të Austrisë, Heinz Fischer.

Në ceremoninë e hapjes ku ishin të pranishëm gjithashtu Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanović, ish-Kryemininstri i Rumanisë Victor Viorel Ponta, Ministrja e Ambientit e Marokut dhe presidentja e ardhshme e COP22 Hakima El Haite, si dhe shumë personalitete të tjera, Presidenti Nishani mbajti një fjalë ku u përqendrua në zhvillimet më të fundit evropiane dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit shqiptar theksoi ndër të tjera në fjalën e Tij se procesi i integrimit evropian të vendit, pavarësisht zhvillimeve më të fundit evropiane, vijon të mbështetet masivisht nga qytetarët dhe forcat politike shqiptare, pasi ky proces nënkupton standarde, zhvillim dhe mirëqenie për shqiptarët.

“Integrimi evropian nuk është thjesht një ëndërr, por objektivi më madhor dhe strategjik i vendit dhe e vetmja alternative e zhvillimit të tij”, vuri në dukje Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e tij dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. “Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhet ruajtur dhe çuar më tej”, u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës mbajtur në sesionin e hapjes zyrtare të Forumit të Krans Montanas:

“I nderuar Ambasador Carteron,

Të nderuar panelistë,

Të nderuar anëtarë të Forumit Crans Montana,

Zonja dhe Zotërinj,

Së pari, do të dëshiroja që në fillim të përshëndes drejtuesit e Forumit ‘Crans Montana’ për organizimin e këtij Forumi për Evropën Qendrore dhe Lindore të largët, si dhe t’i falënderoj përzemërsisht për ftesën për të qenë pjesë e këtij paneli shumë të nderuar dhe për vëmendjen e vazhduar që i kanë kushtuar ndër vite rajonit të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor.

Tema e panelit të sotëm, është një temë shumë domethënëse dhe që reflekton në mënyrë të sintetizuar zhvillimet e sotme në kontinentin evropian, por jo vetëm.

Të gjithë jemi dëshmitarë se rënia e Murit të Berlinit dhe mbarimi i Luftës së Ftohtë në fund të viteve ’80-të e fillim të viteve ’90-të krijuan një klimë të përgjithshme pozitive dhe hapësira të reja bashkëpunimi.

Evropa si një kontinent i ndarë në dysh, si ideologjikisht e fizikisht, ashtu edhe ekonomikisht, në fillim të viteve ’90 filloi të ndihet si asnjëherë tjetër në historinë e saj moderne, bashkëpunuese dhe e orientuar ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, mbrojtjes së lirive themelore të njeriut dhe e krijimit të një tregu komun dhe një ombrelle të përbashkët sigurie.

Organizata ndërkombëtare si Këshilli Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, por edhe shumë organizata të tjera rajonale, u zgjeruan shumë shpejt me vende nga Evropa Qendrore, Juglindore dhe Lindore. Fryma euroatlantike dhe evropiane dhe integrimi në NATO dhe BE u bënë objektivat kryesore të pjesës më të madhe të vendeve të këtyre rajoneve.

Ishin këto projekte madhore të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë dallimin e qartë në Evropën e ndarë mes lirisë dhe izolimit, mes diktaturës dhe demokracisë, mes ekonomisë së lirë dhe asaj të centralizuar, mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe falimentimit të sigurt.

Vende që për dekada kishin përjetuar terror dhe shtypje, mungesë lirie dhe demokracie, ekonomi të falimentuar deri në varfëri, e shihnin anëtarësimin e tyre në këto organizata dhe integrimin euroatlantik si moment shprese dhe rimëkëmbje sociale dhe ekonomike.

Në këto kushte, bile mund të them ekstreme, ishte dhe Shqipëria në fillim të viteve ’90-të. Forca tërheqëse ishte vizioni i themeluesve të NATO-s dhe BE-së, që ende edhe sot mbetet forca tërheqëse më e madhe tek shqiptarët, por duket edhe tek një pjesë e mirë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria dhe shqiptarët, duke u bërë pjesë e Aleancës politike dhe ushtarake më të madhe të globit, të NATO-s, realizuan një pjesë të ëndrrës së tyre. Ndërsa tani janë tërësisht të orientuar drejt integrimit evropian, një proces sa i vështirë aq e shpresëdhënës për të ardhmen e vlerave evropiane të Shqipërisë.

Procesi i integrimit evropian në Shqipëri ka mbështetjen e mbi 90% të popullsisë dhe të gjitha forcat politike serioze në vend, pa përjashtim, janë të shprehura qartazi në mbështetje të tij.

E thënë në këto momente, kur vetë Unioni po kalon një sfidë të jashtëzakonshme pas BREXIT, tingëllon ndoshta çuditshëm për veshët e jo vetëm euroskeptikëve, por edhe të shumë europianistëve që nuk janë të qartë për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Por procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për shqiptarët nënkupton: standarde, zhvillim dhe mirëqenie. Ndaj mbetet jo thjesht një ëndërr por objektivi më madhor strategjik i vendit dhe e vetmja alternativë e zhvillimit të tij.

Zonja dhe Zotërinj,

Britanikët folën dhe pavarësisht se me diferencë të vogël, ata votuan në favor të daljes nga Bashkimi Evropian, vendim ky sovran dhe që dukshëm u respektua me hidhërim nga shumë liderë evropianë dhe botërorë.

Ishte një JO ndaj BE-së dhe një mesazh që po lexohet me vëmendje maksimale nga të gjitha vendet anëtare të saj, por edhe nga vendet kandidate dhe ato aspirante.

Pyetja e ditës sot është: Çfarë do të ndodhë me Bashkimin Evropian dhe për rrjedhojë me projektin më madhor evropian të pas Luftës së Dytë Botërore?

Që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003, është thënë qartazi dhe në mënyrë të përsëritur se Bashkimi Evropian nuk do të jetë asnjëherë i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por, çdo të ndodhë pa praninë e Britanisë së Madhe në BE?

A do të jetë ai i plotë pa vendin e Magna Carta-s dhe të revolucionit industrial, e vendit që renditet si ekonomia e pestë më e madhe në botë e një prej katër superfuqive të dala nga Lufta e Dytë Botërore dhe një prej pesë anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit?

Kjo mbetet të shihet në ditët, javët dhe muajt në vijim.

Ndaj dhe nuk dëshiroj aspak të bëj analizën e votës britanike, por jam i mendimit se ajo është influencuar ndjeshëm nga krizat më të fundit ekonomiko-financiare që goditën Unionin dhe disa prej vendeve anëtare.

Është ndikuar ashtu si edhe e gjithë bota e qytetëruar nga aktet terroriste që kanë goditur shpesh Britaninë e Madhe dhe vende të tjera të Unionit, por edhe nga rritja e ndjeshme e veprimtarisë terroriste dhe ekstremiste brenda vetë vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, është influencuar edhe nga valët e paprecedenta të refugjatëve dhe emigrantëve nga vendet në konflikt por jo vetëm.

Të gjitha këto kanë krijuar një situatë pasigurie, konfuzioni në marrëdhëniet lider-qytetar, si dhe një ambient të favorshëm për politika populiste e anarkiste.

Edhe rajoni i Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë prekur nga të gjitha këto kriza dhe sfida, dhe me të drejtë qytetarët e vendeve kandidate apo potenciale kandidate në Bashkimin Evropian shtrojnë pyetjen sot se:

Çdo të ndodhë me procesin e zgjerimit evropian pas BREXIT?

Sigurisht që gjërat nuk janë më si më parë, por është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e saj dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhen ruajtur dhe çuar më tej.

Pavarësisht progresit të bërë, stabiliteti në rajon është ende vulnerabël pasi demonët e së shkuarës akoma enden nëpër Ballkan.

Reformat e ndërmarra nga vendet e rajonit duhet të mos dekurajohen por të nxiten më tej nga BE-ja, pasi vetëm projekti evropian ka demonstruar që i vë ato realisht në lëvizje.

Të nderuar të pranishëm,

Është evidente se në dekadën e fundit bota ka ndryshuar dukshëm dhe me shpejtësi. Ajo është bërë multipolare, të paktën ekonomikisht, duke sjellë raporte dhe balanca të reja ekonomike.

Kjo situatë ka prekur edhe kontinentin evropian.

Pas BREXIT, Evropa pritet të ndryshojë edhe më shumë, pasi tashmë në kushte të reja duhet të vijojë konkurrencën me fuqitë ekonomike në rritje, siç janë Kina, India, Brazili, e vende të tjera, për të gjeneruar rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët e BE-së.

Sot me të drejtë mund të thuhet se ‘A new Continent is Emerging’ ‘Një kontinent i ri po del në pah’, pasi mes dilemës së ruajtjes së unitetit të Bashkimit Evropian dhe adresimit të sfidave të përbashkëta, ristrukturimit apo ndryshimeve thelbësore të Unionit, hapësirat evropiane po bëhen gjithnjë e më fleksibile ndaj kapitalit jo evropian. Por njëkohësisht ato po bëhen edhe më vulnerabil ndaj sfidave të sigurisë për të ardhmen e kësaj hapësire.

Në mënyrë të veçantë duket se lidhjet ekonomike mes hapësirës evropiane me atë lindore aziatike po rriten gjithnjë e më shumë. Kina si fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, ka lançuar projektin madhor ekonomik ‘Silk Road Economic Belt’, për lidhjen e saj me Evropën përmes Azisë Qendrore dhe Rusinë, dhe duke përfshirë një sërë vendesh të Evropës Lindore, disa prej tyre vende anëtare të BE.

Pra kontinenti po ndryshon sigurisht.

E rëndësishme është që këto ndryshime të mos cenojnë sigurinë e hapësirës evropiane dhe vlerat perëndimore të kontinentit, ku tashmë janë të përfshira aktivisht edhe Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Faleminderit për vëmendjen!”

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: