* Drejtësi për vrasjet dhe përdhunimet në diktaturë

MIRDITË- Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vizitoi sot ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda si dhe nga ish-të burgosur e të përndjekur të shumtë politikë.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit (pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi.

“Nuk jam këtu për të folur mbi historinë e këtij burgu famëkeq, as për të përshkruar kalvaret që shumë prej jush i kanë provuar mbi kurriz, i kanë përjetuar, dhe fatmirësisht, falë durimit, forcës dhe pamposhtmërisë suaj, shoqëruar nganjëherë edhe me vullnetin e mirë të Zotit, u keni mbijetuar. Nuk do të përmend as shifra dhe as statistika, sepse do të na nevojiteshin ditë, javë, muaj dhe ndoshta vite të rendisnim një nga një mizoritë e panumërta, tmerret dhe vuajtjet çnjerëzore të shkaktuara nga veglat shtazarake e të pashpirt të diktaturës komuniste. Ky burg-kamp sot është thjesht një vend ogurzi, një rrënojë që qëndron gati e hepuar mes malesh hijerëndë e kreshtathinjur, por që në ajrin dhe atmosferën tij sillen e përsillen histori të tmerrshme jetësh dhe fatesh njerëzore, madje edhe shpirtra të parehatuar, sepse varret e tyre ende nuk janë zbuluar. Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa ky kamp/burg/ferr e skëterrë. Ndoshta kanë pasur shumë më pak, sepse të paktën në hyrje të kampit të Aushvicit lartësohej parulla paralajmëruese dhe cinike njëkohësisht: ‘Puna të bën të lirë kurse këtu jeta e privuar nga liria, puna e stërmundimshme në galeritë e thella të nëntokës dhe normat mbinjerëzore t’i rëndonin jo vetëm këmbët dhe krahët dhe shpirtin, por të fundosnin e madje të varrosnin nganjëherë edhe çdo lloj shprese e dëshire për të vazhduar të përpiqeshe të jetoje. Ata që kanë gërmuar nëpër galeritë e errëta, ata që kanë shtyrë me stërmundim vagonët e rëndë të mbushur me bakër, ata që janë lidhur me kavo çeliku në dimër pas shtyllave kur nuk plotësonin dot sasinë ditore gjithnjë e në rritje të mineralit, e dinë shumë mirë se po të mos bëje punën, po të mos kapje normën, po të të shpëtonte padashur qoftë edhe një psherëtimë e lehtë nga skutat e thella të shpirtit – ishe i mbaruar, ishe i kryqëzuar, ishe i harruar edhe nga vetë Zoti, ishe për një moment, dhe më pas nuk ishe më, madje as varri nuk të gjendej dot.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej, Kreu i Shtetit e cilësoi burgun e Spaçit, si ferrin e vërtetë mbi tokë dhe Shqipërinë, një burg i errët, ku shumë rrallë depërtonin rreze drite e shprese: “Të burgosurit e Spaçit asnjëherë nuk ishin vetëm: jashtë kampit nëpër qytete, fshatra, majë malesh, në luginë e rrëzë kodrinave ishte një popull i tërë që vuante e përpëlitej fizikisht, shpirtërisht e mendërisht, njësoj si ata, por kurrsesi aq shumë, aq rëndë e aq dhimbshëm sa ata. Sa ju!”

“Të përndjekurit shqiptarë pësuan dënime dhe vuajtje të padrejta, por më e keqja është që edhe sot, në prag të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar ndjesë, paçka se disa prej jush janë gati, të prirë dhe vullnetmirë për të falur. Vuajtjet tuaja për fat të keq u shkaktuan nga shqiptarë. Ndjesa ndaj jush pritet dhe duhet të vijë, po nga shqiptarë. Falja, pajtimi dhe bashkimi do jetë një vepër shpirtmadhe e shqiptarëve. Ndaj jush u kryen krime, dhe jo “gabime” siç është pretenduar dhe vazhdon ende të dëgjohet aty-këtu ndonjë lloj shfajësimi foshnjarak dhe mashtrues. Vendprehjet ende të pagjetura dhe shpirtrat akoma të paqetë të viktimave të pafajshme vazhdojnë të klithin duke u prishur gjumin e trazuar xhelatëve të diktaturës, disa prej të cilëve ende u kemi dhënë një mundësi dhe shans për të larë ndërgjegjen e tyre të zezë. Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur!  Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet! Por ata që pendohen e që kërkojnë falje sinqerisht, edhe mund të përqafohen! Por siç është ajo shprehja jonë e urtë dhe e vjetër e popullit: ‘I ra gurit, u thye. I ra njeriut, e mbajti dhe e duroi’, edhe ata që patën fatin e zi sterrë të vuanin e ta përjetonin këtë ferr mbi tokë, nuk u dorëzuan. Shqiponjat nuk jetojnë dot në kafaz!’ – tha me tej Presidenti Nishani në fjalën e tij.

“Më 21 maj 1973 burrat trima dhe sypatrembur të Spaçit i treguan dhe i provuan diktaturës se ajo edhe mund t’u burgoste trupat, por jo shpirtin dhe mendjen! Ata ishin me dhjetëra heronj, të cilët me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës, me vetëmohimin shembullor, kurajën e paepur dhe disidencës së patjetërsueshme, duke zënë vend përjetësisht në panteonin e kujtesës sonë historike kombëtare, u shndërruan në në simbole të përjetshme. Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për t’u përulur me respekt ndaj vuajtjeve, heroizmit dhe altruizmit të tyre që shpërthyen të parët prangat e mendjes duke tronditur themelet e të ashtuquajturit ‘pushtet popullor dhe diktaturë e proletariatit’, por që në fakt u përpoq të skllavëronte e të izolonte një popull të tërë. Me këtë rast, në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit,  në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptarë dhe në emër të mbarë qytetarëve të këtij vendi kam nderin, privilegjin dhe detyrimin institucional të vlerësoj jetën dhe veprën e Pal Gjet Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Mersin Vlashit – krijuesit artist të flamurit të revoltës së Spaçit ku shqipja dykrenore fluturonte e lirë, pa zgjedhën e yllit të imponuar komunist mbi krye. Gjithashtu nderoj dhe përulem me respekt para jetës së shumëvuajtur dhe sakrificave të panumërta të Xhelal Koprencës. Këta heronj i përkasin atij grupi atdhetarësh të prangosur, që iu kundërvu diktaturës së egër komuniste me veprat, me jetën dhe sakrificat e tyre në kërkim të lirisë e demokracisë, duke mbetur të gjallë në kujtesën historike të Shqipërisë, për hir të së cilës ata u burgosën, luftuan, u përpoqën dhe u rebeluan në emër të idealeve më të shenjta të lirisë, përparimit dhe demokracisë dhe vlerave të saj. Ky vlerësim dhe nderim i lartë shtetëror, paçka se fatkeqësisht po u bëhet pas vdekjes, fatmirësisht është një tregues domethënës që vënia në vend e drejtësisë vërtet vonon, por kurrë nuk mënon.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “Shqipëria e shekullit të njëzet e një ua ka borxh të paktën këtë lartësim këtyre antikomunistëve kryelartë, me shpirt liridashës e demokrat, të cilët për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzuan dhe s’iu përulën as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj duke sakrifikuar edhe jetën për këtë lir dhe demokraci që jetojmë sot! Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ç’ishte 25 vite më parë: një vend i lirë, edhe në saje të këtyre martirëve të demokracisë, anëtare e denjë me merita të plota e NATO-s dhe jo më e ish-Paktit të vdekur e të dalë boje të Varshavës, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Po brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë. Kurrë më, sepse siç e ka thënë edhe Bertold Brehti: ‘Mitra që e polli, ende nuk është shterpëzuar’. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre martirëve shqiptarë dhe i gjithë atyre që vuajtën dhe u flijuan për një jetë në liri e me dinjitet për një Shqipëri të përparuar, për një komb krenar dhe me ballin lart! Nderim përjetë!”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: