* Bunkeri është simbol i Enverit, këta janë bijtë e dreqit

TIRANË- Ish-të përndjekurit politikë kanë vijuar protestat edhe ditën e sotme kundër ndërtimit të bunkerit, që e quajnë simbol të diktaturës, ndërsa kanë kërkuar një takim me Kreun e Shtetit, Bujar Nishani. Pas zonës pranë Ministrisë së Brendshme ku po ngrihet bunkeri, ish-të përndjekur dhe trashëgimtarë të të vrarëve të sistemit komunist i janë drejtuar institucionit të Presidencës.

Një përfaqësi e tyre është lejuar të hyjë brenda për t’u takuar me Presidentin. Në takimin me presidentin Nishani, përfaqësuesit e Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shprehën shqetësimin dhe protestuan kundër rikthimit të simboleve të diktaturës komuniste, siç është edhe ndërtimi së fundmi i një bunkeri, simbol të diktaturës në oborrin e Ministrisë së Brendshme.

Ish-të përndjekurit i kërkuan Kreut të Shtetit që të ndërhyjë dhe të bëhet mbrojtës i shtresës së tyre ende të pa integruar plotësisht, duke i dorëzuar edhe Notën e tyre të Protestës.

Gjithashtu, duke shprehur shqetësimin dhe protestën e tyre të ligjshme kundër “rikthimit të simboleve të diktaturës në vendet publike dhe mos dënimin e krimeve të diktaturës”, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve parashtruan njëkohësisht nevojën për mbështetje nga shteti në përgjithësi ndaj kauzës dhe problemeve të tyre, si dhe nga Presidenti Nishani në veçanti, si simbol i unitetit të popullit.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përpjekjet konstante dhe aktive të ish-të përndjekurve politikë për rritjen e ndërgjegjësimit publik ndaj çështjes dhe problematikave të tyre, theksoi se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim tendencat e vazhdueshme për të risjellë mesazhet dhe simbolet e së kaluarës diktatoriale, të cilat mund të cenojnë ekuilibrat e shoqërisë shqiptare.

Presidenti Nishani u shpreh se do të bëjë të gjitha përpjekjet personale dhe institucionale “gjithnjë në zbatim të Kushtetutës dhe brenda të gjithë kuadrit ligjor” për t’i përcjellë shqetësimet e shtresës së ish-burgosurve politikë tek qytetarët dhe institucionet e shtetit shqiptar, në mënyrë që të mbahet gjallë reflektimi mbi të kaluarën e hidhur, duke mos lejuar që të përsëriten më përvojat fatkeqe dhe format e terrorit, qoftë edhe psikologjik, të diktaturës gjysmëshekullore, sidomos gjatë këtij viti në kuadër të 25-vjetorit të rënies zyrtare të komunizmit.

Ndregjoni: Protesta jonë i shërben shoqërisë shqiptare

Ndërsa Sekretari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni pas takimit tha se Presidenti bazuar në kushtetutë shprehu gatishmërinë për përkrahjen në këtë lëvizje politike. Ndregjoni i ka drejtuar një apel kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit.

“Një apel për kryeministrin dhe kreun e parlamentit le të festojnë me familjet e tyre ditëlindjen e Enver Hoxhës por jo me shoqërinë shqiptare e cila është shkëputur nga e kaluara. I kemi kërkuar presidentit të ndalet trysnia ndaj medias që të mos jetë megafon i qeverisë por i shoqërisë. I kërkuam hapjen e dosjeve për gjithë shqiptarët. I kërkuam të largohen ata juristë që kanë mbi 30 vjet në punë që kanë dënuar shokët tanë dhe të mos marrin pjesë në reformën në drejtësi. Presidenti pranoi kërkesat tona. Ky aktivitet nuk i shërben ish-të përndjekurve politikë por gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Ndregjoni.

Kujtim Kaziu, një prej të përndjekurve që ka tentuar dy herë t’i vërë flakën veten tha se kjo protestë është për moslejimin e ndërtimit të bunkerit dhe për të drejtat e tyre, duke kërkuar dëmshpërblimin.

protesta e ish te perndjekurve

“Protesta është për bunkerin. Është një protestë që i gjithë populli duhet të bashkohet. Mund të jetë bunker artistik, por figura e Enver Hoxhës nuk duhet të bëhet publike. Është një figurë që duhet të dënohet për gjenocid. Do i kërkojmë Presidentit Nishani të mos lejojë më shfaqjen në publik të imazhit të Enver Hoxhës dhe të ndërhyjë për dëmshpërblimet tona. Unë jam pa punë, pa shtëpi. Nuk kam marrë ende këstin e katërt, jo të pestin”, tha Kaziu.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Trashëgimtarëve të të vrarëve nga komunizmi, kërkoi vëmendjen e medias ndaj kësaj çështje. Ai tha se bunkeri është simbol i Enverit, madje duke shtuar se “Këta janë bijtë e dreqit”.

“Më kanë vrarë babën dhe vëllain e babës, na lanë jetimë. Pse çojnë simbolet e komunizmit. Bunkeri është simbol i Enverit. Këta janë bijtë e dreqit”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb