TIRANË – Regjimi diktatorial në Shqipëri, sipas Presidentit Bujar Nishani, ka qënë ndër më shtypësit dhe terrorizuesit në vendet e Lindjes e për këtë arsye, Shqipërisë i takon që ta festojë 25-vjetorin e rrëzimit të sistemit komunist në dimensione më të mëdha se të gjitha vendet e tjera. Ai ftoi Qeverinë që në të gjitha institucionet, të organizojë këtë vit, aktivitete në përkujtim të 25-vjetorit të rrëzimit të diktaturës: “Ky është një moment kur të gjitha institucionet e vendit ta celebrojnë këtë moment përkujtimi, – tha ai, – dhe të nisin aktivitete që sjellin në mendje pasoja e tmerrshme që pati krimi komunist, regjimi stalinist në Shqipëri.”

Këtë deklaratë Presidenti i Republikës Bujar Nishani e ka dhënë sot para mediave. Po ashtu, Presidenti tha se ai mbështet hapjen e dosjeve dhe propozoi përgatitjen e një ligji sa më të plotë duke kërkuar edhe hetim e gjykim penal për Sigurimin e Shtetit, për ata që e ndërtuan, e udhëhoqën dhe kryen krime, madje edhe në kundërshtim me ligjet e kohës.

Gjatë fjalës së tij, Nishani ka rikujtuar momente nga ajo periudhë, shtypjen mbi qytetarët dhe persekutimin e një pjese të mirë të tyre; më pas, ai ka kaluar në periudhën kur nisi përmbysja dhe vitet kur Shqipëria nisi përpjekjet për t’u integruar me vendet evropiane.

DATE PERKUJTIMORE PER RREZIMIN E DIKTATURES, MONUMENT PER LEVIZJEN E DHJETORIT

“Do t’i sugjeroja parlamentit të vendoste një datë në përkujtim të krimeve të komunizimit në Shqipëri, – tha kreu i shtetit, – siç mund të ishte data e ekzekutimit të 25 intelektualëve në Shqipëri, pas të ashtuquajturës “bombë” në ambasadën e Bashkimit Sovjetik. Ata, që pa gjyq, u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë. Mund të jetë data e varjes së poetit Havzi Nela, gjithashtu…Por, kjo datë mund të diskutohet nga parlamenti me grupet e ish-të përndjekurve. Nga ana tjetër, Lëvizja e Dhjetorit meriton të jetësohet në një monument të veçantë, që i përket bashkisë së Tiranës.

LIGJ PER DOSJET, NE GJITHE GJERESINE DHE THELLESINE E MERITUAR

Presidenti kërkoi gjithashtu hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. “Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, – tha ai, – jam i bindur për këtë, por ky është momenti më i mirë dhe më i përshtatshëm edhe për reflektim nga të gjithë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të krijuar mundësitë e një relaksimi dhe paqtimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.

Pavarësisht dimensionit që do të përmbajë një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve apo me lustracionin, ai do të ketë mbështetjen gjithmonë të Presidentit të Republikës dhe do të firmoset. Por ajo që unë kërkoj dhe sugjeroj është që të kemi një ligj të plotë në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e merituar të hapjes së dosjeve, jo vetëm të atyre që e ndërtuan dhe e udhëhoqën atë mekanizëm kriminal – për të cilin unë mendoj që është koha që edhe Shqipëria me asistencën ndërkombëtare të kërkojë hetim dhe gjykim penal, për mekanizmin e Sigurimit të Shtetit – po dhe për krimet që ka bërë në kundërshtim edhe me ligjet e kohës,” – përfundoi Nishani.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb