TIRANE- Ish presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka thënë se ministri i ri i Brendshëm, gjeneral Sandër Lleshi, i cili zëvendëson në këtë detyrë Fatmir Xhafën është një ekstremist politik që ka fyer kushtetutën.

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, Nishani u shpreh se sot nuk ka më rëndësi kush vendoset ministër, pasi ata trajtohen si zëdhënës shtypi. Nishani tha se ka liruar nga detyra Sandër Lleshin sipas ligjit dhe se ky i fundit iu drejtua gjykatës, e cila u mor sipas tij me dekretin e Presidentit në atë kohë.

Ministrat sot trajnohen si zëdhënës shtypi. Nuk ka rëndësi kush vihet ministër. Personi konkret është një ekstremist politik. Nuk është më gjeneral. Kur ka pasur uniformë u angazhua në aktivitet politik të njëanshëm. Nuk ka fare rëndësi kush bëhet ministër, pasi ministrat rezultojnë të lidhur me krimin. Të dy ish ministrat kanë përfituar nga aktivitetet kriminale.  Tashmë nuk ka asnjë vlerë sepse ka humbur çdo sens i besimit dhe i shpresës. Sa më parë qytetarët presin që t’i hapet rrugë shpresës. Lleshi ka fyer kushtetutën duke qenë me uniformë.

Në FA, ushtarakët shërbejnë brenda një termi të caktuar. Nëse nuk merr gradën e caktuar ti del në rezervë. Lleshi e mbylli fazën përkatëse dhe doli në rezervë sipas ligjit. Gjykata u mor me dekretin e presidentit.”- tha Nishani.

Kujtojmë se në Dhjetor të 2013 Gjykata e Tiranës vendosi të shfuqizonte dekretin e ish-Presidentit Bujar Nishani, për lirimin nga detyra të gjeneral Sandër Lleshit, duke pranuar rikthimin e tij në detyrë si zv.shef i Shtabit të Forcave të Armatosura.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb