ANGLI- Sot, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, u pritën në një takim zyrtar në Clarence House, nga Princi i Uellsit, Charles.
Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë patën nderin dhe kënaqësinë të ndanin me Princin e Uellsit mendimet dhe opinionet mbi zhvillimet e ndryshme në Shqipëri, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat globale, me të cilat ballafaqohet mbarë njerëzimi sot.
Kreu i Shtetit dhe Zonja e Parë, i shprehën falënderimet dhe mirënjohjen në emër të popullit shqiptar, Princit të Uellsit për mbështetjen që Madhëria e Saj Mbretëresha, Elisabeth II, Familja Mbretërore si dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Mirënjohje u shpreh edhe për vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe kontributin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, i bënë një ftesë zyrtare Princit të Uellsit për të vizituar Shqipërinë në një moment sa më të përshtatshëm për të.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: