TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk me rastin e marrjes së detyrës së lartë. Presidenti Nishani ka shprehur besimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të forcohen dhe konsolidohen më tej.

“I nderuar Zoti President, Marrja e detyrës së Presidentit të Këshillit Evropian më jep rastin dhe kënaqësinë që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme. Shpreh besimin e palëkundur se, gjatë Presidencës suaj, marrëdhëniet e gjithanshme mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të forcohen e konsolidohen më tej, duke bërë të mundur afrimin gjithnjë e më shumë të vendit tim drejt gjirit të familjes së madhe evropiane. Vendi im dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor sheh te ju një mbështetës të madh të vijimit të procesit të zgjerimit me anëtarë të rinj.
Shqipëria, tashmë, ka shënuar përparime thelbësore në rrugëtimin e saj të pandalshëm integrues, siç e provoi më së fundmi edhe marrja e statusit të vendit kandidat. Uroj që aspirata e popullit shqiptar për t’u integruar me merita të plota në Bashkimin Evropian, duke e pasuruar mozaikun e larmishëm evropian me vlerat e veta më të mira, të bëhet sa më shpejt realitet. I nderuar Zoti President, kam kënaqësinë, gjithashtu që, në këtë datë të shënuar të karrierës suaj politike të përshëndes veprimtarinë tuaj të spikatur, si dhe rolin aktiv e konstruktiv që keni luajtur dhe do të vazhdoni të luani në arenën ndërkombëtare, për përballimin e sfidave të kontinentit tonë të përbashkët dhe ato globale. Me dëshirën për t’u takuar së afërmi në Tiranë ose në Bruksel, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.” – theksohet në mesazhin e kreut të Shtetit shqiptar.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: