SHBA – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një vizitë të posaçme homazhi në Memorialin e Pentagonit, pikërisht në vendin, ku vazhdimisht nderohen dhe përkujtohen 184 viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 dhe familjet e tyre për sakrificën që bënë dikur në mënyrë që liria të vazhdojë të triumfojë.

Kreu i Shtetit shqiptar, në krye të delegacionit zyrtar, u prit dhe u shoqërua në Pentagon nga Ndihmës Asistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, Michael Carpenter, i cili mbulon edhe bashkëpunimin ushtarak dypalësh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Pasi vendosi një kurorë me lule në Memorialin e Pentagonit “Për nder të burrave dhe grave që humbën jetën më 11 shtator 2001 duke u sakrifikuar për liri”, Presidenti Nishani vizitoi edhe kapelën përkujtimore të 184 viktimave dhe shprehu respektin duke lënë një shënim prekës në Librin e Ngushëllimeve.

Nishani, i ftuar nderi në Universitetin e Mbrojtjes në SHBA
Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani ishte i ftuari i nderit në Sesionin e Presidentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington D. C.

Fillimisht Nishani u prit nga Gjenerali Major Frederick Padilla, Presidenti i UKM (NDU) si dhe nga udhëheqësit e tjerë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit e mendimit strategjik dhe përgatitjes ushtarake, me të cilët zhvilloi një takim duke shkëmbyer mendime dhe ide.

Ndërsa më pas Presidenti Nishani nënshkroi Librin e Miqve dhe u prezantua në Sallën Lincoln për të mbajtur ligjëratën e Tij me temë: “Integrimi i Shqipërisë në NATO: Një ndër dy arritjet me rëndësi gjeostrategjike në historinë kombëtare që shërben si faktor kontribuues vendimtar për paqen, stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: