Është java e derbit, është java e ndeshjes më të ndjerë në futbollin shqiptar, Partizani-Tirana. Kjo sfidë bëhet edhe më e ethshme pasi është përplasja e parë, është prova e parë për të treguar forcën reale, spektakli është i garantuar.

Partizani bëri nxehjen këtë fundjavë në “Niko Dovana”, arriti një fitore të pastër 0-2 kundër Teutës. Ekoban pas dy muajsh arriti të zhbllokohej, ndërsa festa në fund me tifozët ishte një tregues i qartë” të gjithë janë të bashkuar për të thyer sërish Tiranën.

Atmosfera tek ekipi i kuq duket ideale një javë përpara derbit, një fitore e mundshme përballë kundërshtarit të përjetshëm do ta rikthente Partizanin në shinat e duhura për të vazhduar ëndrrën titull. Tirana nuk e ka provuar ende shijen e fitores por 90 minutëshi i zhvilluar kundër Kukësit ishte fantastik.

Bardheblutë shfaqën një futboll ofensiv, prurjet e reja dhanë një impakt të menjëhershëm. Trajneri Daja tashmë ka në dispozicion elementet e duhur për të marrë trepikëshin e parë, por ajo që kishte më shumë rëndësi, Tirana rifitoi besimin pas këtij takimi.

Derbi është një sfidë ku nuk është e nevojshme të motivosh lojtarët, një fitore kundër Partizanit do ishte si një bekim për Tiranën.

Në një ndeshje të vetme, 24 herë kampionët kanë mundësi të marrin më shumë se tre pikë, të thyenin mallkimin e viteve të fundit, të shpërblenin tifozët me një fitore aq shumë të dëshiruar dhe të riktheheshin prepotent në garë për objektivat sezonal. Si rrallë herë derbi i kryeqytetit nuk do të zhvillohet në Tiranë, mungesa e një shtëpie nga ana e Partizanit i detyron të shpërngulen në “Elbasan Arena”. 12800 vende janë në dispozicion të dy tifozerive për ndeshjen që do të luhet nën dritat e projektorëve ditën e diel në orën 19:00.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb